Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë paraditen e kësaj të premteje, kryeministri Edi Rama, i është drejtuar Vilës 30 në Tiranë, ku ka qëndruar për disa orë.
Burimet bëjnë të ditur se kreu i qeverisë ka dhënë një intervistë për mediat e huaja, ndërsa ka qëndruar aty deri rreth orës 13:00.
Më pas, në Vilën 30 ka shkuar edhe Albana Koçiu, e cila është propozuar nga kryeministri Rama për të marrë postin e zëvendëskryeministres, pas shkarkimit të Belinda Ballukut.

Ndryshimet ne qeveri
Kujtojmë që një ditë më parë, pas mbledhjes maratonë të Grupit Parlamentar të PS, kreu i qeverisë njoftoi ndryshimet në kabinet.
Krahas shkarkimit të Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama, ka bërë edhe disa ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar.
Lëvizjet prekin ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, atë të Brendshme, të Drejtësisë, Mbrojtjen e deri te ajo e Jashtme.
Belinda Balluku, e vënë nën akuzë nga SPAK, do të zëvendësohet në postin e numrit dy të qeverisë nga Albana Koçiu, e cila mbante postin e ministres së Brendshme.
Ndërsa postin e Ballukut si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, do ta marrë Enea Karakaçi, i cili është administrator i OSHEE-së.
Besfort Lamallari ikën nga ministria e Drejtësisë dhe shkon në krye të Ministrisë së Brendshme, duke zëvendësuar Albana Koçiun.
Besort Lamallari, zëvendësohet nga Toni Gogu, ky i fundit do të jetë ministri i ri i Drejtësisë. Në postin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që mbante deri më Toni Gogu, do të emërohet deputetja e Vlorës, Erjona Ismaili.
Kreu i Qeverisë ka shkarkuar edhe Pirro Vëngun nga posti i Ministrit të Mbrojtjes. Në vendin e tij në krye të Mbrojtjes është emëruar Ermal Nufi.
Po ashtu, nga kabineti qeveritar ka larguar edhe Elisa Spiropalin si ministre e Punëve të Jashtme, duke e zëvendësuar këtë të fundit me Ferit Hoxhën, ambasadorin e Shqipërisë në OKB.
