Shkarkimi aktorëve të “Migjenit”, Boçi ironizon Becin: Oksfordiani i PS po e trajton kulturën si sektor ndërtimi!

Drejtuesi politik i PD në Shkodër, Luçiano Boçi, ka reaguar përmes rrjeteve sociale në lidhje me statusin që publikoi një ditë më parë kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, për dy aktorët e pushuar nga puna në “Teatrin Migjeni”. Benet Beci tha se aktori Simon Shkreli dhe regjisori Vladimir Doda, nuk janë pushuar nga puna padrejtësisht siç pretendojnë dy të fundit, por për shkak të mospërmbushjes së pritshmërive dhe objektivave të sezoneve teatrale. Referuar kësaj deklarate, Luçiano Boçi shprehet me ironi se Beneti “Oksfordian” i mat aktorët me litra rolesh dhe kilogramë dramë. Boçi thekson se reagimi i Becit i ngjan një raporti partie më shumë se sa një analize kulturore.

Luçiano Boçi thekson se kjo mënyrë të menduari si Benet Beci nuk është gjë tjetër veçse një rikthim i metodave të realizmit socialist, ku edhe poezia kishte plan, recitimi kishte kuotë dhe spektatori duhej të qante në skenën e pestë.

Në fund, Boçi e mbyll reagimin e tij duke thënë se ajo që Beneti shfaq me këtë gjuhë të përçudnuar është një krizë thelbësore e të kuptuarit të artit dhe kulturës, ku administratori e sheh veten si “kontroll performance” dhe jo si mbështetës i shpirtit të lirë. “Benet, kultura nuk matet me normë. Aktori nuk është sahat dhe skena nuk është linjë montimi.”-shkruan Boçi.

Statusi i plotë

Beneti “Oksfordian” që mat aktorët me litra rolesh dhe kilogramë dramë

Po lexoja me vëmendje SQARIMIN e Benetit për largimin nga “puna” të aktorëve Simon Shkreli dhe Vladimir Doda.

Në fiilim vura duart në kokë nga fillimi i parashtrimit por dhe duke nënqeshur hidhur.

Pastaj mendova mos Beneti kishte “ba humor” nga ai tipiku i Shkodrës, por që mbeti vetëm dyshim.

Kur arrita nga fundi dhe preka seriozitetin pompoz “sqarues” të Benetit ia plasa tamam gazit.

Në këtë paraqitje që më shumë i ngjante një raporti partie se sa një analize kulturore, Beneti njohur së fundmi si “Oksfordiani i PS-së”, ka ndërmarrë një përpjekje “shkencore” për të shpjeguar punën e aktorëve në bazë të EFIKASITETIT, EFEKTIVITETIT, PRODUKTIVITETIT DHE CILËSISË SË PUNËS.

Këto terma i do kaq fort sa i ka shkruar dhe me gërma kapitale. Për të treguar dhe peshën e madhe që ato kanë për mendjen e Benetit.

Një katërkëndësh terminologjik që do t’i shkonte më shumë një fabrike tullash në vitet ’80 se sa skenës së teatrit sot.

Po të ndiqnim logjikën e Benetit, aktori duhet me pasë “output” të matshëm me njësi litrash ose kilogramë ose me:

• Efikasitet = sa dialogë për minutë
• Efektivitet = sa duartrokitje për akt
• Produktivitet = sa role në muaj apo vit
• Cilësi = sa shpesh i del zani, pa e marrë etja

Kjo mënyrë të menduari nuk është gjë tjetër veçse një rikthim i metodave të realizmit socialist, ku edhe poezia kishte plan, recitimi kishte kuotë dhe spektatori duhej të qante në skenën e pestë.

Arti reduktohet në një produkt me “output”, ku aktori nuk është krijues, por zbatues. Një lloj punëtori emocional që vlerësohet me tabelë excel.

Kjo është arsyeja nder ne pse kultura po zhbëhet. Sepse ajo trajtohet si sektor ndërtimi.

Në vend që të investohet në liri krijuese, në përmbajtje, në përballje me shoqërinë, artistëve u kërkohet të “justifikojnë rrogën” me KPI (Key Performance Indicators). Është si të kërkosh që një poet të dorëzojë 3 poezi në ditë me rimë ABAB dhe frymë revolucionare.

Në thelb, ajo që Beneti shfaq me këtë gjuhë të përçudnuar është një krizë thelbësore e të kuptuarit të artit dhe kulturës, ku administratori e sheh veten si “kontrollor performance” dhe jo si mbështetës i shpirtit të lirë.

Benet kultura nuk matet me normë. Aktori nuk është sahat. Dhe skena nuk është linjë montimi!