Shkaktonin zhurma dhe drejtonin motomjetet në gjendje të dehur, arrestohen 3 shtetas në Shëngjin

Në vijim të masave të ndërmarra për monitorimin e zhurmave të gjeneruara nga muzika, si dhe atyre të shkaktuara nga motomjetet, strukturat e sigurisë publike të DVP Lezhë kanë intensifikuar kontrollet gjatë fundjavës.

Si rezultat, janë kryer 22 matje të nivelit të zhurmës nga muzika, të cilat kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Po ashtu, në bazë të ankesave të qytetarëve dhe pushuesve për zhurmat shqetësuese të shkaktuara nga drejtimi i motomjeteve, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme të Shëngjinit dhe Policinë Rrugore, kanë konstatuar dhe ndëshkuar 25 drejtues motomjetesh, për shkaktim zhurmash shqetësuese, në zonën turistike të Shëngjinit.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, 3 drejtues motomjetesh, konkretisht shtetasit Q. Sh., 30 vjeç, L. Sh., 25 vjeç, dhe F. G., 24 vjeç, u arrestuan në flagrancë, pasi u kapën duke drejtuar motomjetet në gjendje të dehur.

Gjithashtu, motomjetet e tyre u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale.

Policia e Lezhës do të vijojë praninë e shtuar në të gjithë territorin e njësisë administrative Shëngjin dhe në zonat turistike të qarkut, për të garantuar një sezon veror të qetë dhe të sigurt për qytetarët dhe turistët.


Shtuar 17.08.2025 16:32