Një person është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë nën hetim, pasi akuzohen si shkaktarë të ndezjeve të zjarreve në zona të ndryshme të vendit.
AKTUALITET KRYESORE TË FUNDIT
Shkaktarë të ndezjes së zjarreve, arrestohet një person! Nis hetimi për dy të tjerë
11/08/2025 20:33
Një person është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë nën hetim, pasi akuzohen si shkaktarë të ndezjeve të zjarreve në zona të ndryshme të vendit.
Lukovë-Ndalohet një 43-vjeçar që shkaktoi zjarr nga pakujdesia, duke hedhur cigaren në tokë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë bënë ndalimin për veprat penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, për shtetasin B. A., 43 vjeç, banues në fshatin Lukovë. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 10.08.2025, në vendin e quajtur “Lapardha”, pasi ka konsumuar cigare, e ka hedhur në tokë dhe nga pakujdesia ka shkaktuar zjarr, ku si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 30 rrënjë ullinj, si edhe një sipërfaqe toke me shkurre dhe ferra”, njofton policia.
Bolenë-Procedohet penalisht një 34-vjeçar, i dyshuar për djegien e një sipërfaqeje toke me shkurre, bimësi dhe pisha:
“Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, pas veprimeve hetimore, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, për shtetasin E. T., 34 vjeç, banues në fshatin Bolenë. Ky shtetas dyshohet se më datë 09.08.2025, në afërsi të varrezave të fshatit, ka ndezur zjarr për pastrimin e kullotës që kishte në përdorim dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe disa pisha”, raportojnë blutë.
Tragjas-Procedohet penalisht një 58-vjeçar, i dyshuar për djegien e një sipërfaqeje toke me bimësi:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, për shtetasin G. Gj., 58 vjeç, banues në fshatin Tragjas. Ky shtetas dyshohet se është autori i zjarrvënies së datës 08.08.2025, në fshatin Tragjas, ku u dogj një sipërfaqe me bimësi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.