Shitjet e vajit të ullirit arrijnë në 25 mln euro në 8-mujor, rritje vjetore me 665%

Eksportet e vajit të ullirit arritën vlerën e 25 milionë eurove për 8 mujorin, me rritje vjetore 665% në të njëjtën periudhë.

Sezonin e kaluar prodhimi i ullirit dhe vajit njohu rekorde si rrjedhojë e kushteve të mbara të motit dhe hyrjes në prodhim të pemishteve të reja.

Nga ana tjetër prodhuesit më të mëdhenj të ullirit në Europë, Italia dhe Spanja u përballën më thatësirë që çoi në ulje drastike të vajit në tregjet europiane.

Ky ishte një moment i mirë për Shqipërinë, pasi fermerët shqiptare që kishin akumuluar stoqe prej dy-tre vitesh i eksportuan drejt Italisë. Të ardhurat nga eksportet e vajit të ullirit u shndërruan ne burim i mirë të financimi për kultivuesit dhe përpunuesit e vajit të ullirit.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, pohoi më herët për “Monitor” se duke marrë në konsideratë efektet e ndryshimeve klimatike që sollën thatësirën në vendet kryesore prodhuese dhe eksportuese të Europës janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi për nxitjen e eksporteve të ullirit dhe vajit të ullirit në tregun italian dhe europian.

Burimet nga tregu bëjnë me dije se edhe ky sezon do të jetë i mbarë. Prodhimi nuk pritet të jetë në përmasat e vitit të kaluar, por është i mjaftueshëm për të mos krijuar mungesa në tregun e brendshëm.

Vijimësia e eksportit edhe këtë sezon do të vendoset nga prodhimi në vendet e tjera të Europës, por përvoja e këtij viti ka qenë pozitive për shumë fabrika të cilat kanë nisur të investojnë për rritjen e kapaciteteve të magazinimit.

Ciklet e prodhimit dhe të trajtimit të ullishteve janë rritur vitet e fundit, por mungojnë investimet në kapacitetet magazinuese. Fabrikat e zakonisht përpunojnë ullirin në favor të fermerëve kundrejt një tarife dhe nuk kanë tankera inoksi për ruajtjen e vajit në kushte optimale. Duke qene se mungojnë linjat profesionale të magazimit dhe ruajtjes, vaji i ullirit u shit me çmime shume më të ulëta se, i vendeve të tjera.

Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se një litër vaj ulliri u eksportua mesatarisht me 355 lekë. Gjithsej u eksportuan 7500 tonë vaj me një vlerë rreth 26 miliardë lekë në janar-gusht 2023.

Pavarësisht çmimit të ulët, eksporti i vajit çliroi depot e fermerëve të cilët kishin akumuluat stoqe për tre vite rresht. /Monitor


Shtuar 20.09.2023 07:43