Shitje fiktive në favor të kompanisë “5D” dhe skemë mashtruese fiskale për përfitime, lëshohen masa sigurie ndaj 3 biznesmenëve (EMRAT)

Këtë të enjte, Prokuroria e Tiranës, ka lëshuar masa sigurie ndaj shtetasve Ilir Allmeta, Ermir Gjoklaj dhe Mirash Lula pasi akuzohen se kryen shitje fiktive në favor të ‘5D Konstruksion’ dhe krijuan skemë mashtruese fiskale për përfitime.

Masat e sigurisë:

Ilir Allmeta – ‘Arrest në burg’,

 Ermir Gjoklaj – ‘Detyrim paraqitje’

Mirash Lula ‘Detyrim paraqitje’,

Ata janë të dyshuar për përfshirjen në krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), ‘Fshehjen e të ardhurave’, si dhe ‘Falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve’.

Sipas organit të akuzës, bizneset “Allmeta 02”, “TT” dhe “Valbona Alb”, kanë kryer shitje të dyshuara fiktive në favor të subjektit “5D Konstruksion”, kompani nën hetim nga SPAK, me një vlerë totale prej 370.299.847 lekësh, duke gjeneruar një TVSH dhe Tatim Fitimi të përllogaritur në shumën prej 108.004.122 lekë.

Nga ana tjetër “5D” dyshohet se ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet për punët publike të tenderuara nga Bashkia Tiranë, duke administruar dhe deklaruar faturat fiktive të lëshuara nga personat nën hetim Ilir Allmeta, Ermir Gjoklaj dhe Mirash Lula  me vlerën rreth 370,299,847 lekë.

“Nga hetimi rezultoi se vlera e plotë prej 370,299,847 lekësh, e krijuar nëpërmjet shitjeve të dyshuara fiktive, është përfshirë nga subjekti “5D Konstruksion” sh.p.k. në situacionet e punimeve të deklaruara në tenderat publikë, me qëllim rritjen artificiale të volumit dhe kostove të punimeve të kryera”, informon Prokuroria e Tiranës.

Duke shtuar se: “Kjo vlerë është pasqyruar si shpenzim i justifikuar në dokumentacionin për zbatimin e kontratave publike, duke i mundësuar subjektit përfitues të arkëtojë nga fondet publike vlerën e plotë të këtij transaksioni fiktiv, në dëm të buxhetit të shtetit. Si rrjedhojë, veprimet e kryera jo vetëm që kanë krijuar avantazhe tatimore të padrejta, në TVSH dhe TF, por kanë rezultuar edhe në përvetësimin e pajustifikuar të fondeve publike, përmes paraqitjes së rreme të shpenzimeve në raportet financiare të tenderëve.”

Organi i akuzës thekson se skema mashtruese fiskale, përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit.

Njoftimi i Prokurorisë:

Kryen shitje fiktive në favor të ‘5D Konstruksion’ si dhe krijuan skemë mashtruese fiskale për përfitime, Prokuroria Tiranë jep masa sigurie për 3 persona

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dha tre masa sigurie për tre shtetas, I.A., ‘Arrest në burg’, E.Gj, ‘Detyrim paraqitje’ dhe M.L., ‘Detyrim paraqitje’, të dyshuar për përfshirjen në krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), ‘Fshehjen e të ardhurave’, si dhe ‘Falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve’, parashikuar nga nenet 144/a, 180 dhe 190 të Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.2578 të vitit 2025, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin  e Krimit Ekonomik në Drejtorinvë e Policisë Tiranë, rezultoi se subjektet tregtare “Allmeta 02”, “TT” dhe “Valbona Alb”, kanë kryer shitje të dyshuara fiktive në favor të subjektit “5D Konstruksion”, me një vlerë totale prej 370,299,847 lekësh, duke gjeneruar një TVSH dhe Tatim Fitimi të përllogaritur në shumën prej 108,004,122 lekë.

Subjekti ‘5D Konstruksion’ është hetuar nga Prokuroria e Posaçme, duke dërguar në përfundim të hetimeve në gjykim shtetasit, G.C., E.M., T.M. dhe B.Ç. Ky subjekt dyshohet se ka ritur në mënyrë fiktive shpenzimet për punët publike të tenderuara nga Bashkia Tiranë, duke administruar dhe deklaruar faturat fiktive të lëshuara nga personat nën hetim, I.A. E.Gj. dhe M.L. me vlerën rreth 370,299,847 lekë.

Këto veprime janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skemë mashtruese fiskale, që synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit.

Nga hetimi rezultoi se vlera e plotë prej 370,299,847 lekësh, e krijuar nëpërmjet shitjeve të dyshuara fiktive, është përfshirë nga subjekti “5D Konstruksion” sh.p.k. në situacionet e punimeve të deklaruara në tenderat publikë, me qëllim rritjen artificiale të volumit dhe kostove të punimeve të kryera. Kjo vlerë është pasqyruar si shpenzim i justifikuar në dokumentacionin për zbatimin e kontratave publike, duke i mundësuar subjektit përfitues të arkëtojë nga fondet publike vlerën e plotë të këtij transaksioni fiktiv, në dëm të buxhetit të shtetit. Si rrjedhojë, veprimet e kryera jo vetëm që kanë krijuar avantazhe tatimore të padrejta, në TVSH dhe TF, por kanë rezultuar edhe në përvetësimin e pajustifikuar të fondeve publike, përmes paraqitjes së rreme të shpenzimeve në raportet financiare të tenderëve.

Në këtë kuadër, veprimet e koordinuara të këtyre subjekteve përbëjnë elementët përbërës të veprës penale të “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, në bashkëpunim, në kuptim të nenit 144/a dhe nenit 25 të Kodit Penal.

Hetimet vijojnë në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare të saj.