Shiti dy herë të njëjtin apartament/ Arrestohet 48-vjeçari në Tiranë, shpallet në kërkim noterja (EMRAT)

Policia e Tiranës, ka goditur dy raste mashtrimi me apartamentet në 24 orët e fundit. Në një rast, njëri ka shitur dy herë të njëjtin apartamenti, ndërsa në rastin tjetër, një i ri i ka marrë një shtetasi, 75 000 euro, duke e mashtruar se do t’i blinte një apartament në kryeqytet.

Më konkretisht, është arrestuar shtetasi Nani Kolovani, 48 vjeç, pasi ka shitur dy herë, apartamentin e tij.

Në vijim të hetimeve për këtë rast, autoritetet policore kanë shpallur në kërkim dhe noteren që dyshohet se ka përpiluar dy herë kontrata për shitjen e këtij apartamenti, shtetasen Majlinda Demollari, 57-vjeçe.

Ndërkohë, është arrestuar edhe shtetasi Marjo Qose, 31-vjeç, pasi për më shumë se një vit, i ka marrë një 34-vjeçari, 75 000 euro, duke e mashtruar se do të blinte për llogari të tij, një apartament.

Materialet procedurale i janë referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.