Shiti apartamente e dyqane me vlerë 2 milionë euro, por nuk ua dorëzoi blerësve, Prokuroria e Durrësit çon në gjyq biznesmenin

Prokuroria e Durrësit, ka përfunduar hetimet dhe ka çuar në gjyq biznesmenin A.T., i cili akuzohet për veprën penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, pasi shiti apartamente dhe njësi tregtare pa ua dorëzuar blerësve.

Sipas hetimeve, A.T., administrator i shoqërisë “A C” sh.p.k., ka shkaktuar një dëm ekonomik prej mbi 2 milion eurosh, duke mashtruar klientët për ndërtimin e një objekti multifunksional. Për këtë rast, është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për të pandehurin, i cili është ndaluar pasi ishte shpallur në kërkim.

Prokuroria e Durrësit, përfundon hetimet e merr të pandehur për ‘Mashtrim’ me pasoja të rënda shtetasin A.T. i cili shiti apartamente e njësi tregtare pa jua dorëzuar blerësve duke u shkaktuar 2 mln euro dëm

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, përfundoi hetimet dhe merr të pandehur shtetasin A.T., për veprën penale të ‘Mashtrimit’ me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 për 25 raste dhe 199/a/4 të Kodit Penal si dhe personin juridik ‘A C’ sh.p.k. për të njëjtat vepra penale.

Në kuadër të hetimeve të zhvilluara mbi procedimin penal nr.1748, të vitit 2022, në ngarkim të këtij shtetasi u caktua masa e sigurisë ‘Arrest në burg’ parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal, masë e cila u ekzekutua më 14.01.2025 nga autoritetet Hollandeze, pas shpalljes në kërkim me 08.04.2024 të këtij shtetasi.

Nga hetimet e zhvilluara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm Durrës, rezultoi se shtetasi A.T., administrator i shoqërisë “A C” sh.p.k dhe personi juridik “A C” sh.p.k., pas pajisjes me leje ndërtimi (të pazbardhur për shkak të mospagimit të detyrimeve ndaj Bashkisë Durrës) për ndërtimin e një objekti multifunksional, kanë lidhur kontrata sipërmarrje me persona të ndryshëm kundrejt pagesave përkatëse.

Në përfundim të hetimeve rezultoi se i pandehuri A.T nëpërmjet mashtrimit pasi ka mbajtur kontrata për shitje apartamente/njësi tregtare/garazhe, me të dëmtuarit për objekte të cilat nuk janë dorëzuar as aktualisht edhe pse janë likujduar sipas kontratëve, ju ka sjellë atyre një dëm ekonomik në vlerën 2.099.522 euro.