Shiste drogë afër shkollave, arrestohet 24-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit “Tempulli”,  ka goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.

Në pranga ka rënë 24-vjeçari që kryente këtë veprimtari.

“Si rezultat, në afërsi të një shkolle në rrugën “Haki Stërmilli” , u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi L. S., 24 vjeç, banues në Krujë”, informon policia.

Gjatë kontrollit fizik ndaj 24-vjeçarit dhe kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë  kanë gjetur sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, një pjesë të ndarë në doza, gati për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza, të cilat i shiste më pas në afërsi të shkollave, në zonën e Kombinatit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 30.10.2023 11:59