Shfrytëzuan 10-vjeçarin për të ardhura në TikTok, gjykata lë në burg Natashën dhe djalin e saj

Gjykata ka lënë në burg Natasha dhe Armando Kurmaku, nënë dhe bir, të cilët akuzohen për keqtrajtimin e nipit 10-vjeçar, duke e shfrytëzuar në rrjetet sociale Tik-Tok me qëllim përfitimin e parave.

Gjyqtarja e Rrethit Gjyqësor të Beratit, Ardiola Çela, vendosi të lërë në burg nënë dhe bir, pasi të dy bashkë kishin abuzuar me djalin 10-vjeçar të Amrandos, duke e nxjerrë në rrjetet sociale.

Ata janë denoncuar nga nëna e të miturit, pasi e ekspozonin atë në rrjetin social, “TikTok”, duke folur me një fjalor banal, me qëllim për të përfituar ekonomikisht.

Në rrjetet sociale qarkullojnë shumë video të të miturit, ku dëgjohet të flasë me një fjalor banal, i shtyrë nga babai dhe gjyshja e tij.

Njoftimi:

Gjykata e Shkallës së Parë Berat ka dhënë sot masën e sigurisë për dy shtetasit: Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku,të akuzuar për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”,e kryer në bashkëpunim,parashikuar nga Neni 124/b/2 dhe 25 i Kodit Penal. Shtetasit e sipërpërmendur,që rezultojnë të jenë gjyshja dhe babai i të miturit 10-vjeç,akuzohen se e kanë shfrytëzuar të miturin 10-vjeç,me qëllim përfitimin nga rrjeti social Tik Tok,duke postuar video të tij,me fjalë denigruese,ofenduese dhe banale.

Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku u arrestuan nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat në orët e para të mëngjesit së djeshën në qytetin e Sarandës,në kuadër të Operacionit të Koduar Policor “Show”.

Prokurori i çështjes Eni Çulli,pasi ka paraqitur të gjitha provat që vërtetojnë ekzistencën e veprës penale,ka kërkuar vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të tyre dhe caktimin për ta të masës së sigurisë “arrest në burg” pa afat.

Gjyqtarja Ardiola Çela,pasi ka dëgjuar prokuronin dhe avokatin mbrojtës,ka vendosur: cilësimin “të ligjshëm” të arrestimit të tyre dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat për shtetasen Natasha Rombula,67-vjeçe dhe djalin e saj Armando Kumaraku 44 -vjeç”.