Detaje të reja janë zbardhur nga sherri që ndodhi mbrëmjen e kaluar në zonën e Bathorës në Kamëz, ku për pasojë mbetën të lënduar 5 persona, të moshave kryesisht të mitura.
Mësohet se të rinjtë që u përfshinë në sherr, që dyshohet të kenë qenë mbi 15 persona, janë të moshës nga 15 deri në 19-vjeç, dy prej të cilëve këtë të hënë iu është komunikuar arresti dhe pritet të dalin para gjykatës.
Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit K. A., 21-vjeç, A. A., 25-vjeç, dhe për 4 shtetas të mitur.
Gjithçka nisi pas një konfrontimi mes dy të miturve, që vunë në dijeni edhe shokët e të afërmit e tyre, mbi motive banale. Në orët e mbrëmjes së kaluar, lihet takim në Bathore, bulevardin kryesor Institut-Kamëz. Sherri ka agravuar në debat, përplasje fizike e deri në përdorim të mjeteve prerëse dhe sendeve të forta, duke shkaktuar plagosjen e 5 personave.
Pas ngjarjes, drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, u nisën për të marrë ndihmë mjekësore shtetasit: R .B. dhe J.H. me plagë në shpinë; K. A. plagë në krahë; S.P plagë në bark dhe E.P. plagë në kokë.