Sherr mes dy familjeve në Gramsh, përfshihet edhe efektivi i Policisë, AMP e merr nën hetim bashkë me vëllanë

Ditën e djeshme, një përleshje mes dy familjeve ka ndodhur në Gramsh, ku në konflikt rezulton se është përfshirë edhe një efektiv i Policisë së Shtetit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 në Gramsh, ndërsa nën hetim pas grindjes u morën 4 persona, respektivish babë dhe bir dhe dy vëllezër.

Policia vendore bëri me dije se dyshohet që E. H., 46 vjeç dhe L. A., 49-vjeç, janë konfliktuar për motive të dobëta.

“Gjithashtu, në konflikt u përfshinë edhe djali i 46-vjeçarit, një 17-vjeçar, si dhe vëllai i 49-vjeçarit, shtetasi F. A., 57-vjeç (punonjës policie)”, bënë me dije burime zyrtare.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për E. H., 46 vjeç, për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje”.

“Sa i përket veprimeve procedurale që lidhen me 49-vjeçarin dhe vëllanë e tij F. A. (punonjës policie), ato po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP)”, sqaroi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, teksa pritet të sqarohen dinamika dhe shkaqet e përleshjes mes tyre.


Shtuar 5.12.2025 13:46