Një tjetër konflikt i dhunshëm që ka degraduar në përdorimin e thikave mes të miturve, është regjistruar në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 tek Pedonalja e Bathores. Konflikti dyshohet të ketë nisur për motive banale.
Në spital janë shoqëruar 5 të mitur me plagë të lehta me thikë, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rreziku për jetën. Sakaq, policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
“Kamëz/Informacion paraprak.
Rreth orës 18:30, tek Pedonalja e Bathores, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta disa te mitur.
Gjatë konfliktit kanë marrë dëmtime të lehta 5 shtetas, dyshohet me mjet të mprehtë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas, ndërsa Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit”, njofton policia.
Kujtojmë që disa ditë më parë në afërsi të gjimnazit ‘Ibrahim Rugova’ në Kamëz, 5 adoleshentë u konfliktuan me njëri-tjetrin duke përdorur thika. Nga ai sherr i dhunshëm, dy prej tyre përfunduan në spital me plagë të rënda në gjoks. Raste të tilla janë në rritje duke alarmuar shoqërinë, duke vënë në pikëpyetje të madhe sigurinë e të rinjve si dhe rolet e institucioneve përgjegjëse.