Sherr me fqinjin e katit poshtë për muzikën e lartë, 63-vjeçari bie nga ballkoni

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Larisa.

Një 63-vjeçar ka rënë nga ballkoni i shtëpisë së tij pas një sherri me qiramarrësit e katit të poshtëm.

Siç bëjnë me dije mediet greke, në katin e dytë të pallatit një familje ka bërë festë pagëzimi.

63-vjeçari, i cili jeton me bashkëshorten në katin e 3-të, është shqetësuar nga rrëmuja që ka vazhduar deri pas orës 11 të natës.

Sipas dëshmive fillimisht ata i janë lutur të ulnin muzikën e lartë, por lutjet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.

Më pas, 63-vjeçari ka dalë në ballkon dhe dyshohet se ka tentuar të hedhë një send në ballkonin e katit të poshtëm.

Por, për arsye të panjohura, ai ra nga ballkoni dhe përfundoi mbi xhamin e përparmë të një makine.

Ai ka marrë lëndime të rënda. Efektivët e policisë që kanë mbërritur të parët në vendngjarje kanë liruar me vështirësi nga xhamat e thyer 63-vjeçarin  Ekuipazhi i EKAV-it, i cili ka mbërritur pak më vonë, e ka dërguar në Spitalin Universitar për të marrë ndihmë mjekësore./Albeu.com


Shtuar 28.08.2023 13:21