Një sherr masiv mes disa grupeve të huaja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në zonën Amendola të Milanos, ku një 32-vjeçar me origjinë egjiptiane mbeti i plagosur rëndë me thikë.
Ngjarja ndodhi në rrugën Pellizza da Volpedo, ku sipas mediave italiane, viktima ndodhej me dy bashkatdhetarë të tij, kur u sulmua nga rreth dhjetë persona. Ai u godit disa herë me thikë dhe u dërgua me urgjencë në spitalin Niguarda. Mjekët raportojnë se ai është në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Sipas dëshmive, mes agresorëve ka pasur shtetas shqiptarë dhe nga Afrika e Veriut. Autorët u larguan para mbërritjes së policisë, ndërsa dy egjiptianët që ishin me të plagosurin janë marrë në pyetje nga karabinierët.
Hetimet po vijojnë për të zbuluar motivet e sulmit dhe për të identifikuar të përfshirët. Pamjet e kamerave të sigurisë në zonë pritet të ndihmojnë autoritetet në zbardhjen e ngjarjes