Një javë pas sulmit kibernetik që goditi sistemet elektronike të Bashkisë së Tiranës, një sërë shërbimesh publike vijojnë të mos funksionojnë dhe qytetarët nuk po i marrin dot shërbimet.
Por, ajo që e rëndon edhe më shumë situatën. është mungesa e transparencës nga vetë institucioni që duhej të ishte në shërbim të qytetarëve.
TV Klan i është drejtuar Bashkisë së Tiranës për ta pyetur se përse disa shërbime të saj janë ende jashtë funksionit, kur do të rikthehen ato dhe çfarë garancish ka për sigurinë e të dhënave.
Por në vend të përgjigjes, Bashkia vendosi të heshtë. Drejtuesit e saj dhe zyra e shtypit nuk pranuan të japin asnjë informacion.
Heshtja e institucionit kryesor të kryeqytetit, që aktualisht drejtohet nga Anuela Ristani, shkon përtej mungesës së komunikimit me mediat dhe qytetarët. Ajo flet për mungesë transparence dhe përgjegjshmërie në raport me qytetarët që kërkojnë të dinë të vërtetën për shërbimet që nuk po i marrin e për të cilat paguajnë taksa.
Në kushtet e mungesës së një komunikimi zyrtar nga Bashkia, ekspertë të pavarur të sigurisë kibernetike, kanë ngritur shqetësime të mëdha për shkallën e dëmeve të mundshme që ka sjellë sulmi kibernetik ndaj sistemeve të këtij institucioni.
Sipas disa raporteve të pavarura të inteligjencës kibernetike, sulmi përfshinte përdorimin e një programi shkatërrues te tipit “wiper”, të quajtur BEEP-FREEZE, i cili fshin në mënyrë të pakthyeshme dokumente, baza të dhënash dhe skedare rezervë. Ky mjet, i zbuluar nga Google Threat Intelligence Group, është i lidhur me grupin iranian UNC-6085 apo “Homeland Justice”, i cili konsiderohet pjesë e operacioneve hibride të sponsorizuara nga shteti iranian.
Drejtuesja e Bashkisë, Anuela Ristani, tha një javë më parë se 10 nga 80 serverët e saj, janë nën vëzhgim, por nuk ka asnjë burim teknik zyrtar që të verifikojë strukturën e saktë te serverave të bashkisë apo përqindjen e dëmit.
Por ajo që i shqetëson më shumë qytetarët, është mungesa e një përgjigjje të thjeshtë nga bashkia, se kur do të rikthehen shërbimet online që përdoren çdo ditë për certifikata, taksa, apo aplikime të tjera, të cilat prekin drejtpërdrejtë jetën dhe nevojat e përditshme të banorëve të kryeqytetit?
/ Tv Klan