Shërbeu 42 vjet në QSUT, mjekut Tritan Kalo i ndërpritet puna: Më nisën shkresë zyrtare, nuk gjetën kohë të më falenderonin

Mjeku Tritan Kalo, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se nuk do të jetë më mjek në QSUT pasi nga Ministria e Shëndetësisë i është komunikuar me shkresë zyrtare ndërprerja e kontratës, për shkak se ka dalë në pension.

Si duket, nga kjo shkresë zyrtare mjeku Kalo është zhgënyer shumë, pasi pavarësisht kontributit të tij 42-vjeçar si mjek në QSUT, nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë gjetur mundësinë të përcillte në faqen e saj zyrtare së paku një foto e një mesazh falenderues.

Postimi i Kalos:

20.07.2023…..Dy ditë pas daljes në pension e ke kohën e mjaftë të lexosh me kujdes shkresën e ardhur nga Burimet Njerzore të Drejtorisë së QSUNT-së, me anë të së cilës ti njoftohesh për daljen përfundimtare në pension…..ASGJË jo normale jashtë praktikës burokratike të njoftimeve në raste të ngjashme…..

AJO që më befasoj ishte rreshti i fundit i shkresës, ku “shprehej e koncentruar MIRËNJOHJA INSTITUCIONALE”, për kontributin tim 42 vjeçar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUNT-së, në lidhje me Ofrimin e Përkujdesit Mjeksor sa më cilësor për mijra e mijra të sëmurë, në kushte shpesh të rrezikshme edhe për vetë jetën time, nisur nga natyra kontagioze jetëlënduese dhe jetëmarrëse e shumë e shumë Sëmundjeve Infektive…..”DORA E NGROHTË E PUSHT-SHTETIT” ishte e lodhur për të shprehur diçka më shumë për PUNËN, PROFESIONALIZMIN dhe PËRKUSHTIMIN tim ndaj popullit dhe vëndit tim…..

MSHMS nga ana e saj kishte shumë e shumë obligime të tjera, për të evidentuar punën dhe të kontributin e të gjithë atyre, që “sapo kanë filluar të cicërojnë” në “kopështin e madh të Përkujdesit Shëndetsor Kombëtar”, sa nuk e gjeti të mundëshme të përcillte në faqen e saj zyrtare së paku një foto e një mesazh falenderues për kontributin 42 vjeçar të një individi “kenedian” si unë, i cili në çdo kohë e rrethanë KURRË nuk pa se çfarë bëri Atdheu për të, përkundrazi me mish e me shpirt u përpoq të bëj më të mirën për vëndin e për popullin e tij…..

Vetëm KM u kujdes që urimi i tij i përvitshëm për ditëlindje të mos mungojë…..ZEMËRNGROHËS ishte fakti se së paku ndjenjat e respektit e të mirënjohjes së një populli të tërë ndaj punës e kontributit tim, u shprehën më bukur e më fuqishëm se kurrë ndonjëherë…..Together forever!!!


Shtuar 20.07.2023 10:17