Nga AlbEu.com
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi më datë 1 nëntor që të rrisë sërish normën bazë të interesit për lekun edhe me 0.25 pikë përqindje duke e çuar në total, 3.25 për qind.
Kjo është rritja e radhës e normës bazë të interesit dhe duket se Banka e Shqipërisë po e përdor përtej çdo limiti të arsyeshëm këtë mekanizëm të vetëm në duart e saj për të kontrolluar çmimet duke mos marrë me sa duket parasysh efektet negative në ekonomi siç janë rritja e interesave për ata që janë duke paguar tashmë një kredi si edhe përkeqësimi i gjendjës së keqe tashmë, për eksportuesit.
Por, krahas kësaj në vendimin e Bankës së Shqipërisë duket se ka edhe një moskoordinim me qeverinë ose me saktë BSH bën sikur nuk do të dijë se çfarë vendos qeveria duke ia ngarkuar koston e moskoordinimit qytetarëve kredimarrës, eksportuesve si edhe të tjerëve që preken nga rritja e normës bazë të interesit.
Çfarë ka ndodhur?
Qeveria rishikoi sëfundmi buxhetin 2023 dhe rishpërndau rreth 460 milionë dollar, të cilat do të prokurohen dhe shpenzohen brenda vitit 2023.
Pra, sasisë së parasë që shpenzohet normalisht gjatë këtyre dy muajve të festave do t’i shtohet edhe shuma 460 milionë dollar, e cila duhet të shpenzohet deri në fund 2023 që duhej të ishte shpenzuar gjatë gjithë vitit.
E gjithë kjo shumë pritet të shkaktojë një presion te çmimet duke i rritur ato edhe më tej. INSTAT thotë se në tetor inflacioni ishte 3.8 për qind, por pritshmëria është që të rritet edhe më.
Tani, BSH merr në konsideratë këtë rishpërndarje parash nga qeveria, si edhe ndikimet ndërkombëtare për shkak të tensionit në rritje dhe me “çekiç” vendos ta përballojë situatën duke ia ngarkuar qytetarëve koston e paaftësisë apo frikës së administratës për të shpenzuar paratë sipas parashikimeve në buxhet.
Kështu, duke qenë se ministra dhe dretorë kanë qenë të paaftë apo kanë patur frikë nga SPAK-u që të prokurojnë për 10 muaj paratë e buxhetit, të cilat i lanë për dy muajt e fundit duke bërë presion te çmimet, BSH vendos ta “rregullojë” këtë paaftësi duke ua nxirë jetën edhe më shumë kredimarrësve që tani e tutje duhet të paguajnë këste më të larta dhe po i “varros” edhe më thellë eksportuesit.
Rregulli i tregut e do që në këtë situatë të uleshin çmimet e mallrave të importit, por kjo ndodh në vende të tjera, jo te e jona. Kemi parë që për shqiptarët, rregullat e tregut funksionojnë vetëm kur shtrenjtohen çmimet dhe kreditë! /albeu.com