Shembje masive dhe rrëshqitje dherash, aksi rrugor Ura e Shtrenjtë-Prekal bllokohet plotësisht (VIDEO)

Aksi rrugor Ura e Shtrejtë-Prekal, është bllokuar plotësisht për qarkullim, pas një shembjeje të konsiderueshme të trupit të rrugës, e cila dyshohet se është shkaktuar nga rrëshqitja e dherave, pas reshjeve intensive të 48 orëve të fundit.

Shembja është konstatuar në vendin e quajtur “Shkallë Logje”, një segment problematik i këtij aksi, ku masa të mëdha dheu kanë rrëshqitur drejt rrugës, duke e bërë atë të pakalueshme dhe potencialisht të rrezikshme për çdo mjet apo këmbësor.

Menjëherë pas sinjalizimit, në terren kanë ndërhyrë ekipet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Bashkisë Shkodër.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa pritet një vlerësim më i detajuar teknik për shkallën e dëmtimit dhe ndërhyrjet që do të nevojiten për rikthimin e qarkullimit normal.

Si pasojë e këtij bllokimi, banorët e zonës së Prekalit dhe fshatrave përreth kanë aktualisht vetëm një rrugë alternative për lëvizje, përmes kalimit nga ana tjetër, në drejtim të Qafës së Thores.

Ndërkohë, nga ana e Malit të Shoshit, qarkullimi mbetet i pamundur, pasi rruga është e bllokuar në zonën e Prekalit dhe nuk ofron asnjë mundësi kalimi.

Bashkia Shkodër u ka bërë thirrje banorëve dhe drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë zonë, deri në përmirësimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme për stabilizimin e rrëshqitjes.

 


Shtuar 3.01.2026 12:06