Në një prononcim për mediat, kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka folur pas takimit të zhvilluar mes Partive të vogla dhe Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, takim ky traditë mbi vendosjen e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Shehaj tha se ishte kundër vendosjes së datës 11 maj, si dita kur do të mbahen zgjedhjet pasi 2 ditë përpara kësaj date, thuhet se Shqipëria do të presë në vizitë të gjithë liderët Europianë.
Kjo vizitë sipas deputetit Shehaj, do të përdoret nga qeveria në favor të saj dhe jo në favor të kombit, ç`ka sjell dhe ndikim në proçesin zgjedhor.
“Partia në pushtet fitoi 90% të bashkive. Kjo është një tregues i qartë mbi gjendjen e demokracisë dhe sesa të lira e të ndershme janë zgjedhjet në Shqipëri. Problemet janë të shumta, Presidenti sigurisht që formalisht ka shumë pak hapësira për të ndërhyrë, por roli i tij si institucioni më i rëndësishëm i vendit është shumë i rëndësishëm dhe ai mund të ketë ndikim me qëndrimet e tij, pavarësisht kompetencave që i parashikon ligji dhe Kushtetuta.
Fjala e kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pas takimit në presidencë me Presidentin e Republikës.
Z. Shehaj, Presidenti a ndau me ju të njëjtin qëndrim?
Presidenti thjesht vuri në dukje rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe rëndësinë që qyetatët shqiptarë të kenë mundësi që të zgjedhin ata se kush duhet të qeverisi vendin.
Z. Shehaj ju jeni kundër datës 11 maj për zgjedhjet pavarësisht se në datën 9 maj mund të mbahet takimi i Komitetit Politik Europian?
Këtu jemi në nivel thashethemesh, nuk ka asnjë datë zyrtare. Unë nuk e di informacionin nga e keni marrë ju, mund ta keni marrë në mënyrë jozyrtare, por unë mendoj që është absolutisht e papranueshme dhe e padobishme dhe me një ndikim shumë të madh në procesin zgjedhor të ardhshëm nëse një event kaq i rëndësishëm, siç është ai i Komunitetit Politik Europian (ECP) jo vetëm të mbahet dy ditë para por edhe sikur të mbahej një javë para apo një muaj para, kjo do ishte absolutisht e panevojshme.
Kshuqë unë nuk e di nëse është vendosur për datën 9 për takimin e ECP-së, por pikërisht këtë i thashë edhe Presidentit, që ai nuk mund të vendosi datën e zgjedhjeve të ardhshme duke u bazuar në informacione të paverifikuara. Presidenti i Republikës duhet të komunikoj zyrtarisht me organizatorët e takimit të Komunitetit Politik Europian (ECP) dhe ti thotë, pasi të ketë marrë informacion në radhë të parë nëse kanë vendosur kur do ta mbajnë, por sidomos nëse nuk është vendosur, t`u kërkojë atyre që mos ta mbajnë këtë takim në Shqipëri para zgjedhjeve. Le ta bëjnë pas zgjedhjeve, nuk besoj se kjo do ishte problem i madh për ata, kurse për ne absolutisht që është një problem shumë i madh sepse partia në pushtet sigurisht që do ta përdorte këtë eveniment si një vlerësim për qeverinë shqiptare dhe jo për kombin”.