Shefi i grupit paraushtarak rus, Wagner, i ka kërkuar të shtunën Moskës, që t’ia dorëzojë pozicionet e tij në Bahmut, liderit çeçen, Ramzan Kadyrov.
“Ju kërkoj që të lëshoni një urdhër luftarak para orës 00:00, më 10 maj, lidhur me transferim të pozicioneve të njësiteve paraushtarake të Wagnerit në Bahmut dhe periferi, te njësitet e batalionit Akhmat”, ka thënë Yevgeny Prigozhin, në një letër drejtuar ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Batalioni Akhmat u referohet njësiteve luftarake çeçene nën komandën e Kadyrovit, i cili e ka udhëhequr Çeçeninë – republikën ruse me shumicë myslimane – që një dekadë e gjysmë, shkruan REL.
Prigozhin ka thënë se luftëtarët do të detyrohen të largohen për shkak të mungesës së madhe të municionit.
Ai e ka akuzuar Ministrinë ruse të Mbrojtjes se ka dorëzuar vetëm 32 për qind të municionit të kërkuar, prej tetorit të vitit 2022.