Sam Altman, shef ekzekutiv i kompanisë OpenAI, që ka në pronësi ChatGPT, u tha ligjvënësve amerikanë se vendosja e rregullave për inteligjencën artificiale është thelbësor.
Ligjvënësit shprehën shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet e inteligjencës artificiale, teksa senatori amerikan, Richard Blumenthal, hapi seancën me një zë të zhvilluar nga kompjuteri, që tingëllonte jashtëzakonisht ngjashëm me zërin e tij, teksa lexoi një tekst të krijuar nga ChatGPT.
“Nëse keni qenë duke na dëgjuar nga shtëpia, mund të keni menduar se ky është zëri im dhe këto ishin fjalët e mia, por në fakt zëri nuk ishte i imi”, tha Blumenthal.
Teknologjitë e inteligjencës artificiale “janë më shumë sesa eksperimente hulumtuese. Ato më nuk janë fantazi, janë reale dhe janë prezentë”, tha Blumenthal.
Altman dëshmoi para një nënkomiteti të Senatit dhe i bëri thirrje Kongresit amerikan që të vendosë rregulla të reja ndaj fushës së teknologjisë, pavarësisht se ndarjet e thella politike për vite me radhë kanë bërë që të bllokohet legjislacioni që synon të vendosë rregulla për internetin.
Por, qeveritë në mbarë botën janë nën presion që të veprojnë shpejt pas daljes në treg të ChatGPT, që mund të prodhojë përmbajtje të ngjashme me njeriun, gjë që shkaktoi edhe frikë në mesin e përdoruesve.
Altman që atëherë është bërë fytyra botërore e inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të ketë efekte negative në shoqëri.
“OpenAi është krijuar me besimin se inteligjenca artificiale ka potencial për të përmirësuar pothuajse çdo aspekt të jetës sonë, por po ashtu krijon rreziqe serioze”, tha Altman para Senatit.
Ai insistoi se tash për tash, teknologjia e zhvilluar nga OpenAi do të “adresojë disa prej sfidave më të mëdha të njerëzimit, sikurse ndryshimet klimatike dhe shërimin e kancerit”.