Shtetet e Bashkuara kanë shpallur tarifa të reja të rritura për importet nga një sërë partnerësh tregtarë, si pjesë e përpjekjeve për të ulur deficitin tregtar dhe për të rritur të ardhurat kombëtare.
Lajmi u bë i ditur nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti amerikan Donald Trump, nënshkroi të enjten një urdhër ekzekutiv që parashikon vendosjen e tarifave doganore më të larta, për një gamë të gjerë produktesh që vijnë nga dhjetëra vende të botës.
Ky veprim, sipas Shtëpisë së Bardhë, ka për qëllim “ristrukturimin e tregtisë globale në favor të punëtorëve amerikanë.”
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, në orën 00:01 me orën lokale të Uashingtonit, dhe jo më 1 gusht siç ishte parashikuar fillimisht.
Sipas informacionit zyrtar, tarifa minimale për importet nga shumica e vendeve, përveç atyre të përjashtuara më poshtë, është vendosur në 10%.
Ndërkohë, mallrat që dyshohet se kalojnë në vendet e treta për të shmangur tarifat më të larta do të përballen me tarifa shtesë ndëshkuese.
Ndër vendet që kanë nënshkruar marrëveshje tregtare me SHBA-në brenda afatit janë Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut, për të cilat do të aplikohet një tarifë prej 15%. Mbretëria e Bashkuar, ku produktet do të tarifohen me 10%.
Ndërkohë, disa ekonomi si Kina, Kanadaja dhe Meksika janë subjekt i rregullave të veçanta tregtare dhe trajtohen në bazë të dispozitave specifike që nuk përfshihen në këtë urdhër të ri.