“SHBA-të kanë besim tek Dr. Berisha”/ Chris LaCivita nga Shkodra: Koha të rrëzojmë një monument të dështuar si Edi Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar takimin përmbyllës të fushatës elektorale për PD-ASHM në Shkodër. I pranishëm në këtë takim ishte edhe drejtuesi i fushatës së PD-së, Chris LaCivita. Gjatë fjalës së tij LaCivita, u bëri thirrje qytetarëve që tani ka ardhur koha që të rrëzojnë një tjetër monument të dështuar, Edi Ramën. LaCivita gjithashtu theksoi se Berisha ka shkruar histori duke ndërtuar marrëdhënie historike me Shtetet e Bashkuara dhe theksoi se SHBA-të kanë besim tek Kreydemokrati.

“Përpara se të filloj, kur hipa në avion këtë mëngjes, disa miq të mi në Washington, D.C. festojnë një ditëlindje të rëndësishme sonte. Dhe është për një mike shumë, shumë të dashur për mua, dhe ajo quhet Susie, dhe doja t’i uroja ditëlindjen nga Shqipëria. Susie, gëzuar ditëlindjen. Jam i nderuar që jam këtu, në vendin ku nisi lufta për lirinë shqiptare. Ju ishit të parët që rrëzuat monumentin e një prej vrasësve më të mëdhenj të historisë, Joseph Stalin. Tani ka ardhur koha të rrëzoni një tjetër monument të dështuar, Edi Ramën.

Rrëzoni korrupsionin! Rrëzoni dështimin ekonomik! Rrëzoni varfërinë! Si amerikanë, ne besojmë në liri, në të drejtat dhe dinjitetin e çdo personi. Ne besojmë se çdo njeri ka të drejtën e dhënë nga Zoti për të jetuar, për të punuar, për të rritur familjen dhe për të adhuruar Zotin që zgjedh vetë. Dr. Berisha ka shkruar histori duke ndërtuar marrëdhënie historike me Shtetet e Bashkuara.

Ne kemi besim te Dr. Berisha. Por këto të drejta mund të zhduken, përveç nëse të gjithë ju bëni gjithçka që mundeni dhe votoni të dielën. Miqtë dhe familjet tuaja, vetëm ju mund ta shpëtoni të ardhmen e Shqipërisë. Duhet të luftoni. Luftoni për familjet tuaja. Luftoni për të ardhmen tuaj. Luftoni për lirinë tuaj. Zoti ju bekoftë dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë. Fitore, fitore, fitore!” tha LaCivita.


Shtuar 8.05.2025 20:04