Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar ashpër njoftimin e presidentit francez, Emmanuel Macron se ai do të njohë një shtet palestinez, duke e quajtur këtë veprim të pamatur dhe dëmtues për përpjekjet për paqe.
“Ky vendim i pamatur i shërben vetëm propagandës së Hamasit dhe e pengon paqen”, shkroi sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio në X.
Deklarata e Rubios pasqyroi kritikat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se veprimi i Macron do të shpërblente terrorizmin.
“Një shtet palestinez në këto kushte do të ishte një platformë nisjeje për të shkatërruar Izraelin”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë.
Sulmi i 7 tetorit 2023 nga Hamasi, në të cilin u vranë më shumë se 1 200 persona dhe mbi 250 u rrëmbyen në Gaza, shkaktoi luftën midis Izraelit dhe grupit militant.
SHBA mbetet aleatja më e ngushtë e Izraelit.