SHBA inspekton Gazën/ I dërguari Wittkof viziton Rafah, shikon ndarjen e ndihmave

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, vizitoi këtë  të premte Rripin e Gazës, atje ku u ndal në një qendër të shërbimit të ndihmave humanitare në qytetin Rafah.

Vizita e Wittkof vjen mes polemikave dhe kritikave të ashpra për menaxhimin e krizës humanitare, akuza këto që nuk I janë drejtuar vetëm Izraelit por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Steve Witkoff u ndal në një nga pikat e Fondacionit humanitar të Gazës, një organizatë kjo e krijuar nga Shtetet e Bashkuara për të zëvendësuar rolin e Kombeve të Bashkuara në shpërndarjen e ndihmave në Enklavën Palestineze.

Shtëpia e Bardhë deklaroi të enjten se i Dërguari i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhe ambasadori Amerikan në Izrael do të vizitonin Gazën me qëllim për të inspektuar shpërndarjen e ndihmave në terren.

Megjithatë disa civilë palestinezë që folën për BBC, e quajtën këtë një teatër të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara pasi sipas tyre Witkoff ka vizituar Rripin e Gazës vetëm për të publikuar disa foto dhe për të thënë se unë isha atje.

Sipas asaj që raportoi Karoline Leavitt, Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë , dy zyrtarët amerikan do të flasin me civilët në Gaza për situatën e tyre dhe më pas këto biseda do ti raportonin presidentit Amerikan, me qëllim që Shtetet e Bashkuara të vendosin një plan final për ndihmat që do të japin për Gazën.

Kjo ishte vizita e dytë e Witkoff në Gaza, pas asaj të shkurtër që bëri menjëherë pas marrjes së detyrës në janar, kur u bë zyrtari i parë amerikan që vizitonte enklavën pas më shumë se një dekade.


Shtuar 1.08.2025 16:50

Tags: ,