SHBA heq përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse, shkak rritja e çmimeve globale

Departamenti i Thesarit i SHBA, ka njoftuar se do të ndërmarrë hapa për të lehtësuar përkohësisht disa sanksione ndaj naftës ruse, pas rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare të energjisë si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Sipas njoftimit, masa e re do të lejojë shitjen e naftës bruto dhe produkteve të naftës nga Rusia që janë tashmë të ngarkuara në anije, deri më 11 prill.

Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent, deklaroi se vendimi synon “të promovojë stabilitetin në tregjet globale të energjisë” dhe të mbajë çmimet sa më të ulëta në një kohë kur, sipas tij, po trajtohet “kërcënimi dhe paqëndrueshmëria e shkaktuar nga regjimi iranian”, raporton Sky News.

Vendimi vjen pasi sulmet e Iranit ndaj infrastrukturës energjetike dhe ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, kanë shtyrë përkohësisht çmimin e naftës mbi 100 dollarë për fuçi për herë të dytë gjatë kësaj jave.


Shtuar 13.03.2026 09:39