SHBA: Gjenden rrënojat e avionit F-35 që autoritetet po kërkonin prej 24 orësh

Forcat e armatosura amerikane njoftuan të hënën pasdite se rrënojat e avionit luftarak F-35 ishin gjetur, një ditë pasi iu bë thirrje qytetarëve për të ndihmuar në gjetjen e tij.

Piloti i F-35B Lightning II kishte arritur të largohej nga avioni luftarak para se të rrëzohej, duke përdorur mekanizmin e nxjerrjes.

Piloti, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, ra me parashutë në një lagje North Charleston rreth orës 2 të mëngjesit të së dielës (me orën lokale).

Ai u dërgua në një spital, ku ishte në gjendje të qëndrueshme, tha Melanie Salinas.

Mbetjet e avionit luftarak të avancuar, i cili kushton rreth 80 milionë dollarë, u gjetën në kontenë Williamsburg, Karolina e Jugut.

“Personeli nga Baza e Përbashkët Charleston dhe @MCASBeaufortSC, në koordinim të ngushtë me autoritetet lokale, gjetën në një fushë mbeturinat në kontenë Williamsburg”, tha objekti ushtarak amerikan për X.

F-35 shquhet për teknologjinë e tij “stealth” që e bën jashtëzakonisht të vështirë zbulimin nga radarët e armikut, ndërkohë që ka pajisje të gjeneratës së fundit.

Kronika e zhdukjes

Mesditën e së dielës, dy F-35B u ngritën  nga baza Beaufort e marinsave amerikanë. Rreth orës 14:00 (koha lokale) piloti i njërit prej të dyve u hodh nga avioni për të shpëtuar dhe u ul në Charleston.

Ende nuk dihet se çfarë problemi e shtyu pilotin të hidhej.

Kongresmenja e Karolinës së Jugut Nancy Mays shpërtheu: “ Si dreqin e humbisni një F-35? Si ka mundësi që nuk ka aparat regjistrimi dhe si i kërkojmë publikut ta gjejë dhe ta dorëzojë?”.

Duhet theksuar se Forcat Ajrore deklarojnë se mbeturinat mund të përmbajnë substanca toksike dhe për këtë arsye askush nuk duhet t’i prekë.

Hulumtimi me mjete ajrore

Në fakt, F-35 mund të fluturojnë për një kohë të gjatë në autopilot, “si një zombie”, raporton The Drive. Në vitin 1970 një F-106 amerikan arriti të ulej, pasi piloti e kishte braktisur. Në një incident edhe më spektakolar, në vitin 1988 një Mig-23 sovjetik fluturoi nga Polonia, ku piloti i tij e braktisi, drejt e në Belgjikë .

Në teori, një F-35B mund të udhëtojë qindra kilometra me karburantin që transporton.
Për sa i përket F-35, i cili kap vlerën e dhjetëra milionë eurove, pasi nuk ka raportime për një përplasje, me siguri është rrëzuar në një zonë pak të populluar. Pa karburant në të, shpërthimi nuk do të ishte i madh. Nëse humbet përsëri në Atlantik, mund të mos gjendet kurrë./Albeu.com


Shtuar 19.09.2023 08:54