Një debat i ashpër po shpërthen midis Uashingtonit dhe Moskës mbi bombat thërrmuese që Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se do t’i dërgojë në Kiev.
Mëgjithatë Britania, Kanadaja dhe Spanja po kritikojnë vendimin e SHBA-së.Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se Moska do të detyrohet të përdorë mjete “të ngjashme” sulmi nëse Shtetet e Bashkuara furnizojnë Ukrainën me bomba thërrmuese, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.
Shoigu tha se Rusia ka municione thërrmuese, por është përmbajtur nga përdorimi i tyre në fushatën e saj ushtarake.
Shtetet e Bashkuara njoftuan javën e kaluar se do të furnizonin Ukrainën me municione thërrmuese të ndaluara gjerësisht për kundërsulmin e saj kundër ushtrisë ruse.
Çfarë janë bombat thërrmuese?
Municionet thërrmuese përbëhen nga një bartës (bombë, predhë) brenda së cilës ndodhen të ashtuquajturat “nën-municione”, të cilat shpërndahen në një zonë të gjerë pasi transportuesi hapet mbi objektiv.
Për nga natyra e tyre, larg armëve precize, ato janë përgjegjëse për vdekje të panumërta civile dhe përbëjnë rrezik për popullatën.
Në fakt, ato janë një kërcënim si gjatë luftës ashtu edhe shumë kohë më pas, sepse disa nga bombat nuk do të shpërthejnë menjëherë.
Vihet re se më shumë se 120 vende kanë nënshkruar Konventën e Kombeve të Bashkuara të vitit 2008 për municionet thërrmuese, konkretisht për ndalimin e përdorimit të tyre.
Midis tyre janë aleatët kryesorë të Ukrainës dhe SHBA-së, si Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
Por Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja nuk e kanë nënshkruar atë traktat, megjithëse një ligj i vitit 2009 ndalon SHBA-në të eksportojë municione thërrmuese./Albeu.com.