Shtetet e Bashkuara dhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) kanë shprehur shqetësim, pasi thanë se tre pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje.
Sipas shefit të misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, policët që dhanë dorëheqje i ishin bashkuar së voni Policisë së Kosovës.
“EULEX po përcjell nga afër këto zhvillime shqetësuese. Përbërja e policisë duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë për të cilën ata shërbejnë dhe mbrojnë. Pjesëtarët e komuniteteve joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë për sigurinë e komuniteteve të tyre përmes patrullimit”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
Shqetësime të ngjashme shprehu edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
“Ne ritheksojmë përkushtimin tonë për një forcë policore shumetnike të Kosovës. E kam thënë disa herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe që zyrtarët policorë të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të lirë dhe pa frikësim. Po ndjekim nga afër këto zhvillime”, shkroi ai në X.
Në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarët serbë të policisë në veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të zyrtarëve serbë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Për të përmbushur vakumin e krijuar pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë shpallën konkurs për pranimin e policëve të rinj.
Në korrik, Radio Evropa e Lirë raportoi se 74 policë të rinj nga komunitetet joshumicë kishin filluar punën në Policinë e Kosovës./rel/