SHBA dhe Britania, sanksione për korrupsion tetë shtetasve bullgarë

Shtetet e Bashkuara dhe Britania u vendosën sanksione të premten tetë bullgarëve për përfshirje në korrupsion, ndër ta edhe personi më i pasur i vendit, dikur ministër në qeveri, i cili akuzohet se përfitoi ilegalisht nga kontratat për centralin e vetëm bërthamor të Bullgarisë dhe nga bashkëpunimi me kompanitë energjitike ruse.

Veprimi i koordinuar synon të godasë “korrupsionin në sistem… që rezultoi në përfitime të paligjshme personale, dëmtoi institucionet demokratike të vendit, dhe vazhdoi ndërvarësinë dëmtuese nga burimet energjitike të Rusisë”, thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Thesarit.

Bullgaria, një vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, radhitet ndër vendet më të korruptuara të Evropës, sipas të dhënave të organizatës Transparency International, dhe është kritikuar se nuk ka arritur të çrrënjosë korrupsionin.

Uashingtoni vendosi sanksione ndaj pesë ish-zyrtarëve bullgarë dhe pesë entiteteve që kontrollohen nga dy prej tyre. Londra u ndaloi hyrjen në Britani dhe ngriu pasuritë e tre bullgarëve të tjerë, ndaj të cilëve ishin vendosur sanksione amerikane në vitin 2021, ndër ta edhe Vasil Bozhkov, personi më i pasur i vendit.

Masat amerikane ngrijnë pasuritë që pesë ish-zyrtarët dhe pesë entitetet kanë në Shtetet e Bashkuara, thuhet në deklaratë.

Ndër të sanksionuarit është Rumen Ovcharov, ish-ministër i energjitikës dhe ligjvënës i cili “u përfshi në mënyrë të përsëritur në kontrata korruptive për energjinë” me kompani energjitike ruse, duke pranuar rryshfet në këmbim të çmime fikse për gazin rus, për karburantin bërthamor, dhe për mbështetjen ndaj centralit bërthamor Kozloduy (KNPP), objekti i vetëm bërthamor i Bullgarisë, thuhet në deklaratë.

Zoti Ovcharov nuk pranoi të komentojë.

Në deklaratë thuhet se ai dhe një tjetër ish-ministër për energjitikën, Aleksandar Nikolov, bashkërenduan kontratat për të blerë energji nga centrali bërthamor, që në vazhdim ia rishitën kompanisë kombëtare të energjisë, megjithëse kjo kompani kishte një marrëveshje për të blerë energji drejtpërsëdrejti nga centrali.

Zoti Nicholov tha se nuk dinte se përse i janë vendosur sanksionet.

Uashingtoni vendosi sanksione edhe ndaj ish-deputetit Nikolay Malinov, që akuzohet se korruptoi një gjykatës për t’i lejuar udhëtimin drejt Rusisë me qëllimin që të merrte një medalje nga Presidenti Vladimir Putin. Zotit Malinov i ishte ndaluar largimi nga Bullgaria pas arrestimit në vitin 2019 me akuza për spiunazh, thuhet në deklaratë.

“Më bëhet qejfi. Nëse Departamenti amerikan i Thesarit leh kundër meje, kjo do të thotë se jam në drejtimin e duhur”, tha zoti Malinov në përgjigje.

Departamenti i Thesarit thotë se sanksione u vendosën edhe ndaj Vladislav Goranovit, ish-deputet dhe ministër financash, për shkak të një skeme nëpërmjet së cilës miliona Euro në formë rryshfeti iu paguan zyrtarëve bullgarë në këmbim të legjislacionit që mbështet industrinë e basteve.

Zoti Goranov tha se nuk është njohur me akuzat.

Krahas zotit Bozhkov, i cili kërkohet nga drejtësia, Britania vendosi sanksione edhe ndaj ish-deputetit Delyan Peevski dhe ish-zyrtarit të sigurisë kombëtare Ilko Zhelyazkov, dikur anëtar i bordit të kompanisë më të madhe energjitike të vendit, duke e akuzuar atë për shpërdorim të fondeve shtetërore./voa


Shtuar 10.02.2023 22:46