Pas vdekjes së Papa Benediktit, shumë raporte thanë se u hap rruga për dorëheqjen e Papa Françeskut, në një kohë kur Vatikani po “vlon” mes konservatorëve dhe progresistëve.
Në meshën e tij të së dielës, Papa Françesku bëri një deklaratë që mund të interpretohet si e çuditshme. Në predikimin e tij, vërejti ai, “ne duhet të dimë të dalim në pension në kohën e duhur”.
“Do të na bëjë mirë të kultivojmë, si Shën Gjon Pagëzori, virtytin që na lejon të tërhiqemi në momentin e duhur, duke dëshmuar se pikë referimi e jetës është Jezusi”, tha ai,
Papa aktual argjentinas jo vetëm që kishte mbrojtur normalizimin e dorëheqjeve papale, por shkoi një hap më tej duke parashikuar se mandati i tij do të ishte relativisht i shkurtër. Ai madje e kishte cilësuar si guximtar vendimin e paraardhësit të tij për t’u larguar nga posti i Papës, sapo ndjeu se forcat e tij nuk po e ndihmonin.
Françesku ngriti çështjen e “pensionimit” të tij në kthimin e tij nga Kanadaja verën e kaluar, kur u tha gazetarëve se “dera e dorëheqjes së tij është e hapur dhe kjo nuk do të jetë një fatkeqësi” për Kishën. Por ai hezitoi të vazhdonte sa ishte gjallë paraardhësi i Benediktit, pasi tre papë në Vatikan, një aktiv dhe dy nderi, do të dëmtonin prestigjin e institucionit.
Pak javë më parë, vdekja e Papa Benediktit, hapi xhepat e Eolit brenda priftërinjve katolikë romakë dhe nga ana tjetër i çliroi duart Papa Françeskut. Presioni konservator ndaj papës së të varfërve, siç quhet pontifi argjentinas, ka krijuar një përçarje brenda Vatikanit. Nuk janë të paktë ata që argumentojnë se ka një presion artificial për ta detyruar Françeskun të japë dorëheqjen, më shpejt. Dhe kjo, që kleri konservator, i cili mendon se është mënjanë që nga mandati i Françeskut, të fitojë sërish terren. /albeu.com