Në Kuvendin e Kosovës sërish kanë ndodhur përplasje midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, dhe të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Opozita po tenton që të parandalojnë mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme që u thirr nga 41 deputetë.
Ata fillimisht bllokuan foltoren, teksa Kuvendi miratoi në lexim të dytë Projektligjin për çmimet e produkteve medicinale. Pas votimit, pati shtyrje mes deputetëve të mbledhur pranë foltores.
Opozita ka vendosur pranë foltores pano ku shkruan “Zdravo” [Përshëndetje] me portretin e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, dhe atë të kryeminstrit Albin Kurti.
Seanca e jashtëzakonshme vjen, pasi vazhdimi i seancës së rregullt u ndërpe. Paraditen e 13 korrikut, gjatë kësaj seance kishte përleshje fizike mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, teksa opozita po kritikon pushtetin për shkak të publikimeve të disa përgjimeve ku është përfshirë Kusari-Lila.
Rinisja e seancës fillestare dhe bllokimi i foltores
Pas përleshjeve, seanca rinisi pas rreth 3 orësh pauzë. Në nisje, kryeparlamentari Glauk Konjufca dënoi dhunën dhe tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pajtuar që të heqë dorë nga fjalimi i tij, që u ndërpre për shkak të përleshjeve fizike.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se në Kuvend “nuk është hedhur asgjë”, por u “provokua me mjete demokratike, performative”, një akt dhe një qëndrim i një grupi opozitar.
Hoxha tha se partia e saj ka adresuar një çështje shumë të rëndësishme dhe “nëse për ju çështje e parëndësishme është çështja e diskutimeve me njeriun që ka fletëarrest dhe që është në listën e zezë të Amerikës, [nënkryetari i Listës Serbe, Milan] Radoiçiq, dhe dëshironi ta normalizoni duke prodhuar skandale, për mua është e pafalshme”. Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, tha se duket se nuk ka kushte që të vazhdojë kjo senacë.
“Nuk është mirë që kjo situatë të përsëritet. Ndoshta është mirë të jepet pak kohë. Ndoshta është mirë që nesër të thirret seanca. Për momentin duket se nuk ka kushte”, tha ai, duke dënuar dhunën.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, kërkoi që seanca të vazhdojë një ditë tjetër, por kryeparlamentari Konjfuca tha se ka “vullnet të mazhorancës” që seanca të vazhdojë sot. Më pas deputetët e PDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bllokuan foltoren e Kuvendit të Kosovës. Më herët, Kuvendi shkoi në pauzë me kërkesë të kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, i cili tha se për momentin nuk janë kushtet për ta vazhduar seancën plenare.
“Kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është me të vërtetë e papranueshme, përdorimi i dhunës është edhe i ndëshkueshëm, i dënueshëm nga të gjithë ne”, tha Konjufca duke shtuar se “nëse ka pasur sulm fizik në Kuvendin e Kosovës, ai do të trajtohet prej ligjit, ashtu siç thonë ligjet tona dhe organet e rendit”.
Më herët në Kuvend, deputetët opozitarë nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK) kanë sulmuar fizikisht kryeministrin Albin Kurti dhe pjesëtarë tjerë të Qeverisë.
Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”. Pasi zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty, deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të Kurtit, e pastaj të Bislimit.Në atë moment, në mbrojtje të të dyve doli ministri i Financave Hekuran Murati, të cilin Lushtaku pastaj e shtyu fizikisht me duar. Bislimi goditi me shishen e tij me ujë deputetin Lushtaku, i cili më pas pati përplasje fizike edhe me minstren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Nga përleshja, Kurti, i rrethuar me sigurimin dhe ministrat e tij, u shtye dhe u përplas në një nga ulëset e Kuvendit pranë foltores.
Policia e Kosovës, e thirrur nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit, ndërhynë për t’i ndalur përleshjet. Ata qëndruan brenda në sallën e Kuvendit, deri sa kryeministri u largua nga aty.
Momentalisht, forca të shtuara të policisë janë pranë dhe brenda në Kuvend. Opozita ditëve të fundit, sikurse edhe në këtë seancë, ka qenë kritikuese ndaj pushtetit pasi në mediat në Kosovë kanë dalë përgjime të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kritike e vazhdueshme ndaj personave që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiqin.
Eliza Hoxha, e cila foli në emër të grupit parlamentar të PDK-së, bëri thirrje që Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet dhe vendi të shkojë “sa më shpejt” në zgjedhje, pasi tha se audio-incizimet “zbardhin komunikimin dhe raportet e pushtetit të Albin Kurtit me Listën Serbe dhe Milan Radoiçiqin”.
“Çfarë duhet të ndodhë më shumë për ta kuptuar që ju jeni të kapur nga krimineli që është në listën e zezë të Amerikës, që ka urdhërarrest nga Prokuroria. Nuk mjaftojnë as dorëheqja e as shkarkimi sepse koordinimin e keni të përditshëm me Radoiçiqin, e jo me shqiptarët e as me ndërkombëtarët”, tha Hoxha gjatë fjalimit të saj në Kuvend. Para se të sulmohej, Kurti në Kuvend foli për Radoiçiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa ditë para se të formohej Qeveria e tij.
“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi”, ka thënë Kurti. Milan Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”. Radoiçiq përmendet në një aktakuzë edhe si “udhëheqës i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim./REL