Nga Chris Dolan “19 Forty Five”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Më 18 mars, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për një raund tjetër të dialogut dypalësh lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Ai takim ishte vazhdimi i një serie bisedimesh të ndihmuara nga Bashkimi Evropian dhe të miratuara nga Shtetet e Bashkuara.
Në Ohër, Kosova dhe Serbia ranë paraprakisht dakord për zbatimin e planit prej 11 pikash të hartuar nga BE, por shumë pak detaje u shfaqën në dokumentin që u bë publik. Synimi i dialogut të udhëhequr nga BE, i nisur që në vitin 2011, është të arrihet në një marrëveshje ligjore detyruese midis dy vendeve, një arritje kjo që mund të ndihmojë në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Kosova dhe Serbia kanë një histori të gjatë dhe komplekse tensionesh, të cilat kanë çuar në një konflikt që zgjat prej dekadash. Operacioni i Forcave Aleate të udhëhequra nga SHBA dhe ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, i dhanë fund luftërave në ish-Jugosllavi si dhe agresionit serb.
Më pas, Kosova shpalli në vitin 2008 pavarësinë e saj. Në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, Kosova dhe Serbia krijuan mundësinë për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimin ekonomik. Ajo krijoi një kornizë për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, si Partneriteti për Paqe, NATO dhe Bashkimi Evropian, si dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara.
Ajo përfshinte edhe njohjen e Kosovës nga Serbia. Po ashtu, marrëveshja synonte të bashkonte dhe fuqizonte 4 komunitetet serbe të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit brenda Kosovës. Serbët etnikë përbëjnë vetëm 5 për qind të Kosovës në krahasim me 90 për qind të shqiptarëve që jetojnë në vend.
Në qendër të mosmarrëveshjes aktuale është Asociacioni i Komunave Serbe (ASM) në Kosovë. Mbi ngritjen e ASM u ra dakord në vitin 2015, por më vonë ky organ u shpall antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. ASM parashikohet që t’u sigurojë komuniteteve serbe të Kosovës kompetenca qeverisëse në bujqësi, shëndetësi, arsim dhe zhvillim ekonomik.
Ndërsa Kosova beson se ASM duhet të modelohet sipas një strukture joqeveritare, Serbia këmbëngul se normalizimi duhet të jetë i kushtëzuar nga një ASM me funksione ekzekutive. Prishtina argumenton se ASM do të krijonte një sistem federal, duke i dhënë mundësi Serbisë që ta vazhdojë ndikimin e saj dashakeq brenda vendit, duke krijuar një strukturë të ngjashme me Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.
Por Uashingtoni e ka siguruar vazhdimisht Kosovën se ASM-ja nuk do të jetë një qeveri më vete. Kosova i ka akuzuar zyrtarët serbë për ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Në fakt Serbia ka udhëhequr një fushatë globale për të zvogëluar numrin e njohjeve për Kosovën dhe për t’ia mohuar saj anëtarësimin në OKB.
Ndërkohë janë shfaqur mosmarrëveshje të rrezikshme kufitare në lidhje me targat e automjeteve. Qeveria e Kosovës refuzoi të njohë dokumentet e identitetit dhe targat serbe në kundërpërgjigje ndaj refuzimit të Serbisë për të njohur dokumentet e Kosovës. Minoriteti serb i Kosovës bllokoi pikat hyrëse dhe dalëse, duke e detyruar KFOR-in të patrullojë kufirin dhe të heqë bllokadat.
Por procesi i normalizimit pengohet edhe nga mosnjohja e Kosovës nga disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, përkatësisht Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Teksa ekziston shpresa e ripërtërirë se raundet e fundit të dialogut mund të prodhojnë një përparim të prekshëm, shpresat e mëdha mund të shkatërrohen përsëri.
Realiteti është se Serbia as nuk është e interesuar dhe as e nxitur të njohë Kosovën. Statuskuoja aktuale i jep mundësi Beogradit të vazhdojë të ushtrojë ndikim në komunitetet serbe të Kosovës. Në fakt, Serbia e ka izoluar Kosovën në një status të ngrirë, duke ushtruar presion ndaj vendeve të tjera për t’u tërhequr nga njohja e Kosovës, ndërsa njëkohësisht merr përfitime sigurie përmes anëtarësimit të saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe pranon ndihmën e huaj nga BE-ja dhe SHBA-ja.
Serbia i ka rezistuar bashkimit me sanksionet perëndimore kundër Rusisë, mbështetëses së saj të vjetër, në përgjigje të pushtimit të Ukrainës. Po ashtu, Serbia është një vend vëzhgues në aleancën ushtarake të udhëhequr nga Rusia, Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) dhe një shtet partner në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik (EAEU), një grupim tjetër politik dhe ekonomik i mbështetur nga Rusia.
Përveç kësaj, Serbia dhe Kina kanë pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë në vitet e fundit. Serbia është sot një destinacion kryesor për bizneset kineze. Ekonomia serbe u zgjerua pikërisht për shkak të fluksit të investimeve kineze. Serbia ka një rol qendror për zgjerimin e Nismës së Brezit dhe Rrugës (BRI) nga Kina në Evropë.
BRI ofron potencial të madh ekonomik për Serbinë, dhe shërben si një mjet për të rritur rolin e saj në lidhjen e Lindjes dhe Perëndimit. Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare e ka përshkruar Serbinë si “spirancën strategjike” të Kinës në Evropë.
Meqë 4 anëtarë të NATO-s nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Kosova duhet të vazhdojë të justifikojë dhe konsolidojë sovranitetin e saj të fituar me vështirësi. Kjo e ka detyruar Prishtinën t’i rezistojë përpjekjeve të mëparshme të Serbisë për të inkurajuar të tjerët që të mos e njohin statusin e saj, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në vitin 2010 se ky akt “nuk ka shkelur asnjë rregull të zbatueshëm të së drejtës ndërkombëtare”.
A ka ndonjë mënyrë për të dalë nga ky ngërç? Po. Hiqjani Serbisë levat e ndikimit mbi Kosovën. SHBA-ja duhet të përdorë ndikimin e saj të jashtëzakonshëm diplomatik dhe statusin e privilegjuar në NATO për t’i inkurajuar 4 vendeve e NATO të heqin dorë nga kundërshtimi i tyre ndaj pavarësisë së Kosovës.
Një raport i Wilson Center i vitit 2022 argumenton se Serbia ruan aktualisht një ndikim të konsiderueshëm në dialog, duke pasur parasysh kundërshtimet e saj ndaj pavarësisë de jure të Kosovës. Nëse vendet e NATO-s dhe BE ndryshojnë pozicion duke e njohur pavarësinë e Kosovës, kjo e fundit mund të përmirësonte përparimin e saj drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit në NATO.
Në këto kushte, Serbia, duke mos qenë anëtare e NATO-s, do të nxitej të hiqte dorë nga kundërshtimet e saj ndaj Kosovës dhe të normalizojë marrëdhëniet me të. SHBA-ja është anëtarja më e rëndësishme dhe më e fuqishme e NATO-s pasi siguron pjesën më të madhe të shpenzimeve ushtarake të NATO-s dhe ndihmën kryesore për Ukrainën.
Ndaj ajo duhet ta përdorë ndikimin e saj për t’i bërë presion vendeve aleate në NATO që të heqin dorë nga qasja e tyre e deritanishme dhe të përqafojnë realitetin e një Kosove të pavarur dhe sovrane. Kjo do të zbehte përpjekjet e Serbisë për të rindërtuar ndikimin e saj në rënie në Ballkanin Perëndimor, dhe do të minonte ndikimin dashakeq rus dhe kinez në Evropë.
Përveç kësaj, lufta brutale e Rusisë në Ukrainë, e ka ndryshuar realitetin gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor. Një artikull i kohëve të fundit sugjeron se nëse Ukraina do të njihte pavarësinë e Kosovës, kjo mund të nxiste 4 vendeve anëtare të NATO-s që njohin Kosovën si shtet të pavur, duke shpejtuar normalizimin e raporteve me Serbinë në emër të unitetit transatlantik.
Rusia po ushtron presion naj Serbisë që të mos e zgjidhë mosmarrëveshjen e saj me Kosovën, pasi normalizimi dhe njohja do të zbusin ndjeshëm përpjekjet e saj të vazhdueshme për të minuar stabilitetin në rajon. Rusia e kundërshton një zgjidhje të këtij konflikti, sepse tensioni dhe paqëndrueshmëria midis Kosovës dhe Serbisë i jep mundësi Kremlinit të maksimizojë ndikimin e tij keqdashës në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, të gjitha gjërat nuk mund të kryhen nga SHBA-ja dhe aleatët e saj. Kryeministri Kurti duhet të përshkallëzojë masat për çrrënjosjen e korrupsionit në institucionet vendore dhe për mbrojtjen e të të drejtave civile serbe dhe objekteve kulturore në Kosovë.
Indekset e fundit tregojnë se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmirësimin e transparencës dhe luftimin e korrupsionit. Po kështu, qeveria serbe duhet të mbrojë komunitetet shqiptare brenda Serbisë duke zgjeruar të drejtat e tyre pronësore dhe duke lejuar zhvillimin e strukturave shqiptare. /albeu.com