Rafineria e vetme e Serbisë, e prekur nga sanksionet e SHBA-së, mund të mbetet që sot pa naftë bruto, sipas informacioneve të fundit nga qeveria.
Që nga fillimi i tetorit, Serbia është përpjekur të gjejë një mënyrë për të hequr sanksionet e SHBA-së që po dobësojnë kompaninë kryesore të naftës në vend, NIS, aksionarët kryesorë të së cilës janë rusë.
NIS, e cila furnizon rreth 80% të pompave në vend, operon rafinerinë e vetme të vendit, në ”Pançevo”, disa kilometra larg Beogradit.
Në fund të tetorit, Ministria serbe e Energjisë njoftoi se rezervat e naftës bruto të rafinerisë duhet ta lejojnë ate të funksionojë deri më 25 nëntor.
Që atëherë, qeveria ka njoftuar kontrata të reja importi për benzinë dhe naftë.
Pas një seance të jashtëzakonshme për të shqyrtuar situatën energjetike në vend, qeveria njoftoi në një deklaratë se ekonomia dhe qytetarët nuk kanë arsye të shqetësohen, duke pasur parasysh se ka një sasi të mjaftueshme të produkteve të naftës, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Por, importet nuk do të jenë të mjaftueshme për të shpëtuar NIS”, paralajmëron Goran Radosavljeviç, një ekonomist në Beograd.
“Prodhimi mbulonte rreth 80% të gjithçkaje, dhe importet përbënin rreth 20%. Mund ta zgjasni agoninë për disa muaj me importe shtesë, por NIS do të falimentojë nëse nuk mund të funksionojë më”, shtoi ai.
Që nga vendosja e sanksioneve të SHBA-së më 9 tetor, Beogradi ndodhet në situatë të vështirë mes lidhjeve të tij me Rusinë dhe rrezikut të një krize energjitike këtë dimër dhe ka kërkuar vazhdimisht që sanksionet të hiqen.
Duke argumentuar se pala ruse ishte gati t’i dorëzonte aksionet e saj, 45% të mbajtura nga ”Gazprom Neft” dhe 11.3% nga ”Intelligence”, një kompani me seli në Moskë, Serbia kërkoi javën e kaluar një përjashtim të përkohshëm nga Shtetet e Bashkuara, të paktën deri në përfundimin e negociatave.
Megjithatë, ende nuk është marrë asnjë përgjigje nga Uashingtoni.
Serbia shiti 51% të aksioneve të NIS te ”Gazprom” dhe ”Gazprom Neft” në vitin 2008 për 400 milionë euro.
Shteti serb ende zotëron gati 30% të NIS, ndërsa pjesa tjetër mbahet nga disa aksionarë më të vegjël.
Sanksionet e kanë vendosur Beogradin në një pozicion të vështirë.
Diskutime paralele mbi furnizimin me gaz po zhvillohen gjithashtu mes Beogradit dhe Moskës, e cila siguron rreth 90% të gazit të përdorur nga Serbia.
