“Serbët duhet ta pranojnë”, ambasadori britanik në Beograd: Kosova është shtëpia e 1.7 milionë shqiptarëve

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Edward Ferguson, thotë se situata në Ballakan është e brishtë dhe shton se të gjithë kanë shpresuar për një progres pozitiv në procesin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por në vend të kësaj janë parë vetëm tensione.

Ferguson theksoi se në Britaninë e Madhe po i përcjellin me vëmendje ngjarjet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe shtoi se Serbia ka një përgjegjësi të veçantë për të punuar për paqen dhe sigurinë, sepse si ekonomia më e madhe në rajon, ajo ka më shumë për të humbur në rast të destabilitetit dhe konfliktit.

“Është një situatë shumë frustruese. Vetëm disa muaj më parë, në mars, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ne e mbështetëm plotësisht procesin e negociatave nën kujdesin e BE-së dhe SHBA-së. Të gjithë kemi shpresuar që deri më tani të shohim disa hapa konkretë, pozitivë përpara që do të ndihmonin në uljen e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në vend të kësaj, ne kemi parë tensione në rritje, të cilat kanë çuar në lëndime serioze të pjesëtarëve të njësive të KFOR-it, të cilët të gjithë pajtohen se po veprojnë me drejtësi dhe mënyrë të drejtë. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Ata që janë përgjegjës për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi, dhe qeveritë në Beograd dhe Prishtinë duhet të punojnë më shumë për të qetësuar situatën”, tha Ferguson për Kurir.

Ambasadori britanik shtoi se nuk ka zgjidhje të lehtë për çështjen e Kosovës, shkruan Express.

“Natyrisht, nuk ka përgjigje të lehtë, por në fund do të kërkojë zgjedhje të vështira dhe gatishmëri për kompromis. Si negociator, mendoj se është e rëndësishme të viheni në pozicionin e palës tjetër. Për popullin e Kosovës, kjo do të thotë të pranoni se Serbia ka shqetësime legjitime për sigurinë e komuniteteve serbë në veri të Kosovës dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe. Për popullin e Serbisë kjo do të thotë të pranojë se Kosova është shtëpia e 1.7 milionë shqiptarëve që nuk duan të jenë pjesë e Serbisë. Me mirëkuptim vjen besimi dhe me besim mund të arrihet një kompromis”, thotë Ferguson.

Lidhur me deklaratat e deputetes britanike dhe kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alicia Cairns, se Kisha Ortodokse Serbe është përfshirë në kontrabandimin e armëve nga Serbia në Kosovë, Feguson tha se të gjithë kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre personale, duke shtuar se pikëpamjet e Cairns nuk përfaqësojnë pikëpamjet zyrtare të qeverisë britanike.

“KFOR-i ka konfirmuar se ata nuk kanë dëshmi se Kisha Ortodokse Serbe është e përfshirë në kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë, e as ne nuk kemi”, përfundoi Ferguson.

 


Shtuar 20.08.2023 18:33