Senati i Shteteve të Bashkuara, ka miratuar një projektligj të rëndësishëm për financimin e qeverisë, i cili mund t’i japë fund brenda pak ditësh mbylljes më të gjatë të qeverisë në historinë e vendit, raporton BBC.
Projektligji u miratua të hënën vonë me 60 vota pro dhe 40 kundër, pasi pothuajse të gjithë republikanët iu bashkuan tetë demokratëve që u shkëputën nga linja e partisë për ta mbështetur.
Marrëveshja siguron financimin e qeverisë deri në fund të janarit.
Tani pritet që Dhoma e Përfaqësuesve ta miratojë projektligjin përpara se presidenti Donald Trump ta nënshkruajë atë. Trump sinjalizoi më herët gjatë ditës se është i gatshëm ta bëjë këtë.
Marrëveshja u arrit gjatë fundjavës, pasi disa senatorë demokratë iu bashkuan republikanëve për të negociuar një zgjidhje që do t’i kthejë punonjësit federalë në punë dhe do të rifillojë shërbimet thelbësore.
Republikanët, të cilët kanë shumicën 53 me 47 në Senat, kishin nevojë për të paktën 60 vota për të kaluar masën.
Qeveria amerikane ka qenë pjesërisht e mbyllur që nga tetori, duke lënë rreth 1.4 milion punonjës federalë pa pagesë ose të detyruar të punojnë pa u shpërblyer.
Mbyllja ka ndikuar gjerësisht në disa shërbime, përfshirë transportin ajror dhe përfitimet ushqimore për 41 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta.
