Në Greqi është shënuar viktima e parë e sëmundjes misterioze, Hepatiti akut, që prek fëmijët nga 0 deri në 10 vjeç.
Një foshnjë 13-muajshe humbi jetën ditën e sotme, pas 2 ditësh me temperaturë të lartë dhe gjendje shoku. Nga analizat e bëra në trupin e të miturit u konstatua insuficiencë hepatike dhe edemë cerebrale dhe me gjithë përpjekjet e mjekëve fatkeqësia nuk u shmang.
Pas njoftimit të rritjes së rasteve me hepatit akut në Mbretërinë e Bashkuar, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë regjistruar 920 raste të ngjashme në 33 vende të botës. Ende nuk dihet se çfarë e shkakton sëmundjen, por dihet se virusi konsumon mëlçinë e fëmijëve deri sa e nxjerr atë jashtë funksionit.
Nga rastet e mundshme të raportuara në mbarë botën, 45 (5%) kërkuan transplantim të mëlçisë. Vihet re se javët e fundit ka një rënie të vazhdueshme të incidenteve në nivel ndërkombëtar. Deri më sot, në Greqi janë raportuar 11 raste. Këto raste nuk kërkonin trajtim të posaçëm, nuk kishin komplikime dhe mbeten në gjendje të shkëlqyer.
Pas njoftimit të rasteve nga Britania e Madhe, raste të ngjashme janë raportuar në 16 vende evropiane si dhe në SHBA, Kanada, Japoni, Izrael, Singapor./albeu.com