Aktorja hollivudiane Selma Blair ka ndarë publikisht betejën e saj rrëqethëse me sklerozën e shumëfishtë, një sëmundje kronike autoimune që, për dekada me radhë, mbeti e padiagnostikuar saktë.
E ftuar në emisionin “This Morning”, Blair tregoi se mjekët për gati 30 vjet i dhanë diagnoza të pasakta, shpesh duke ia atribuar simptomat lodhjes kronike, stresit ose depresionit. Ajo përjetoi simptoma të rënda që nga fëmijëria: turbullim shikimi, dhimbje koke, temperatura të vazhdueshme por askush nuk arriti ta lidhte me sklerozën multiple.
“Isha gjithmonë e lodhur. Ata më thoshin që ishte në mendjen time,” rrëfeu ajo.
Për ironi, gjatë shtatzënisë me djalin e saj, ndjeu lehtësim, pa ditur se kjo sëmundje shpesh qetësohet përkohësisht gjatë shtatzënisë. Pas lindjes, gjendja u përkeqësua. Në një moment, humbi aftësinë për të ecur dhe për të folur.
Pika e kthesës erdhi kur kërkoi ndihmë publike në rrjetet sociale dhe më në fund mori diagnozën e duhur në vitin 2018. Sot, me sëmundjen në fazë pa rikthim, Blair është një zë i fuqishëm për ndërgjegjësimin ndaj sklerozës së shumëfishtë, duke inkurajuar njerëzit të dëgjojnë trupin dhe të kërkojnë ndihmën që meritojnë. Është prova se edhe pas dekadash në errësirë, drita mund të vijë në kohën e duhur dhe me zërin tënd.