Sekuestrohen pasuri me vlerë 450 mijë euro në Elbasan

Në kuadër të operacionit ‘Real Estate 2′, sekuestrohet 1 apartament dhe 1 lokal në pronësi Sajmir Alterziut dhe Edison Gashit.

Pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 450 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 2 shtetasve të dënuar në Itali, për trafikim dhe shfrytëzim për prostitucion’ janë sekuestruar në Elbasan.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Real Estate 2”.

Sekuestrohen pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 450 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 2 shtetasve të dënuar në Itali, për trafikim dhe shfrytëzim për prostitucion.

Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i hetimeve pasurore të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, me qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, u zhvillua operacioni policor i koduar “Real Estate 2”, gjatë të cilit, në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Elbasanit, u sekuestruan:

•1 apartament në pronësi të shtetasit S. A., 49 vjeç, i ndodhur në lagjen “Dyli Haxhire”, Elbasan, pasi ky shtetas është i dënuar në Itali, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”;

•1 lokal në pronësi të shtetasit E. G., 42 vjeç, i ndodhur në lagjen “Kongresi”, Elbasan, pasi ky shtetas është i dënuar në Itali, me 8 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”,- njofton policia.


Shtuar 10.02.2024 10:33