Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro, në pronësi të shtetasit T.Q., i dyshuar për përfshirje në veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Sekuestrimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 1119 të vitit 2023, bazuar në materialet e dërguara nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata vendosi masën e sekuestros preventive mbi një sërë pasurish të paluajtshme dhe të luajtshme të regjistruara në emër të shtetasit T.Q. dhe personave të lidhur me të.
Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen:
Një apartament me sipërfaqe 82 m² në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë;
Një parcelë toke (arë) me sipërfaqe 2000 m² në Radhimë, në pronësi të shtetasve E.K. dhe F.K.;
Një apartament me sipërfaqe 108.5 m² në zonën e Farkës, ndërtuar nga shoqëria “Besa G&T”;
Dy njësi tregtare (dyqane) në lagjen “1 Maji”, Vlorë, me sipërfaqe 50.6 dhe 89.8 m²;
Gjashtë vende parkimi (post-parkime) në të njëjtën lagje, me sipërfaqe nga 28 deri në 36 m² secila;
Dhjetë apartamente në ndërtesën e ndërtuar nga shoqëria “Lespipa” sh.p.k., në lagjen “1 Maji”, me sipërfaqe që variojnë nga 49.7 m² deri në 108.45 m², shumica prej tyre të prenotuara nga shtetasi T.Q.;
Dy automjete, një “Daimler Chrysler” i vitit 1994 dhe një “Ford Focus” i vitit 2005, në pronësi të T.Q.
Sipas Prokurorisë së Vlorës, veprimet hetimore po vijojnë për të zbuluar burimin e fondeve me të cilat janë blerë dhe investuar këto pasuri, pasi dyshohet se ato janë përfituar përmes aktivitetit të paligjshëm.
Ky operacion është pjesë e një sërë masash të ndërmarra së fundmi nga strukturat e hetimit financiar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për të goditur pasuritë që dyshohet se vijnë nga burime kriminale.
Hetimet vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë pastrimi parash dhe për të verifikuar lidhjet ekonomike të shtetasit T.Q. me subjektet ndërtuese dhe financiare në Vlorë e Tiranë.
