Sekuestrohen 12 mln euro pasuri në Sarandë/ Dy hotele, lokale dhe apartamente, nisin hetimet ndaj 2 personave (EMRAT)

Identifikohen dhe vihen në sekuestro pasuritë me vlerë 12 milionë euro, që i përkasin 2 shtetasve me precedentë penalë ndaj të cilëve kanë nisur hetimet.

Pasuritë e sekuestruara janë në emër të shtetasve; Kristi Qirici alias Jetmir Hoxha dhe Adriatik Kalemi.

 

 

Policia e Vlorës, njofton se specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë, në vijim të punës për hetimin e pasurive që dyshohet se janë përfituar nga të ardhura të paligjshme, kanë evidentuar 2 raste, dhe pas regjistrimit të procedimeve penale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kanë nisur hetimet konkretisht:

Në ngarkim të shtetasit K. Q., alias J. H., 43-vjeç, banues në Sarandë, me precedentë kriminalë në fushën e narkotikëve, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Lidhur me këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 07.09.2025, i lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit, me datë 24.10.2025, ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e këtij shtetasi, konkretisht:

Hotel 6-katësh, me 37 dhoma, sipërfaqe ndërtimi 248 m² për kat + garazh 440 m², në Sarandë.

Hotel 4-katësh, me 15 dhoma + lokal, sipërfaqe ndërtimi 160 m² + 80 m², në Sarandë.

Në ngarkim të shtetasit A. K., 53-vjeç, banues në Sarandë, me precedentë kriminalë në fushën e krimeve ndaj personit, trafiqeve dhe narkotikëve, si person i dyshuar për kryerjen e vepërs penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Lidhur me këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 31.07.2025, ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e këtij shtetasi, konkretisht:

Në Sarandë: Lokal shërbimi 103 m² dhe pasuri 123.1 m².

Në Tiranë: Apartament 78.4 m², parcelë ndërtimi 60.12 m², dyqan 103 m² dhe arë 800 m².

Në Rradhimë, Vlorë: Pasuri 36 m², pasuri 485 m² dhe pasuri 619 m².

Në Memaliaj, Tepelenë: Pasuri 386 m², truall 650 m² dhe një pasuri tjetër.

Pasuri të luajtshme: 1 mjet lundrues, 4 automjete dhe 12 llogari bankare.

Nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, vijon puna për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera që mund të jenë regjistruar në emër të personave të tjerë, nga këta shtetas ose familjarët e tyre.