Këtë të premte, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u zhvillua seanca paraprake për presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Metën, për të vendosur nëse dosja do të kalojë ose jo për gjykim apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme.
Në përfundim të seancës GJKKO, vendosi të shtyjë çështjen e Ilir Metës për më datë 22 dhjetor.
Ndërkohë, mësohet se Gjykata urdhëroi SPAK-un t’i dërgojë fashikujt e dosjes brenda javës.
Meta ka kërkuar në seancë të njihej me fashikullin e hetimit ndaj tij.
“Dua të njihem me fashikullin e hetimit. Jeni të lutur të më vendosni në dispozicion materialet”, u shpreh Ilir Meta gjatë seancës sot (5 dhjetor).
Më herët avokati i tij, Kujtim Cakrani tha se Meta do të jetë i pranishëm në çdo seancë gjyqësore, ndërsa dy ditë më parë, sikurse Veliaj, edhe kreu i PL kërkoi që të mos qëndronte në kafazin në sallën e gjyqit, duke e konsideruar si shkelje të të drejtave kushtetuese dhe të të drejtave të njeriut.
Në kërkesën depozituar GJKKO-së, thuhej se nëse nuk do të merrej parasysh kjo kërkesë, nuk do të merrnin pjesë në seanca.
