Fidel Ylli ishte një nga personazhet i cili ju përgjigj temës së sotme në “Aldo Morning Show” se si do i përgjigjej një fëmije që pas gjimnazit dëshiron ta lërë shkollën. Ai është shprehur për të është shumë e rëndësishme që fëmijët të shkollohen, pasi në kohët tona, pa shkollë nuk të pranon njeri në tavolinë.
Gjithashtu ai ka thënë se fëmijët duhet të dinë edhe se çfarë të zgjedhin dhe se e mira do ishte që të shikonin edhe arsimet profesionale. Më tej Fidel Ylli, ka treguar se fëmijët e tij ai i ka çuar në Amerikë pasi për të shkollimi është shumë i rëndësishëm. I pyetur nga Aldo nëse fëmijët kanë bërë rezistencë ndaj këtij vendimi të tij, ai është përgjigjur se në moshën e adoleshencës nuk mund të ketë rezistencë.
Fidel Ylli: Unë do i thoja, ai djali shumë mirë që ka idenë për të bërë punë, por çfarë pune do bëjë. Sepse një 17-18 vjeçar, çfarë do bëjë pa shkollë, çfarë do bëj përveç krahut të punës? Prandaj do i thosha që shkolla, ty të hap mundësi, të hap diapazonin për të parë se ku je dhe ku mund të përshtatesh. Ti mbaro shkollën, fillo punën dhe fillo edhe një biznes! Por ka dy kategori, ka fëmijë që vërtetë duan të shkollohen dhe duan të jenë nxënës të mirë, por ka edhe nga ata fëmijë që nuk ia thonë shumë për shkollën dhe unë do i sugjeroja të shkonin të merreshin me gjëra teknike se ky vend ka shumë nevojë. Mund të mbarosh shkollën e mesme dhe të dalësh kuzhinier shumë i mirë. Ka shumë shkolla profesionale, ku mund të bëhesh një teknik shumë i mirë dhe të fitosh më shumë para se sa mund të fitosh në një institucion dhe me rrogë shteti. Fëmijët e mi për shembull mund të rrinin shumë mirë në Tiranë dhe të vazhdonin jetën shumë norma. Unë i kam çuar në Amerikë dhe qëllimi i vetëm ishte që ata të shkolloheshin në shkollat më të mira.
Aldo: Pate rezistencë nga kalamajtë se të kjo mosha, ik o babë ku merr vesh ti?
Fidel Ylli: E para njëherë në familjen tonë nuk bëhet fjalë që fëmijët në moshën e adoleshencës të kenë rezistencë, se kështu na kanë rritur dhe na kanë edukuar dhe prindërit tanë. Unë kam qenë 35 vjeç dhe babës tim kur vinte në shtëpi, i hiqja duart nga xhepat, kjo ka të bëjë me edukatën.