Sara Mila, deputetja e re e PS në qarkun e Elbasanit e cila numëroi mbi 20 mijë vota si një nga më të votuarat në zgjedhjet e 11 majit, i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës.
Mila në një intervistë për “Shqipëria live” u shpreh se ka zgjedhur që t’i kundërpërgjigjet në Shtatpr kur të hyjë në Kuvend ndërsa tha se antireklama që i bëri PD e shtoi edhe më shumë mbështetjen ndaj saj.
“Mezi po pres shtatorin, sepse është shumë e vështirë kjo hedhja e fjalëve nga larg që opozita bën për mua nga Parlamenti, kur unë nuk jam ende pjesë e Parlamentit, kështu që unë mezi pres shtatorin se do te jemi sy më sy dhe ballë për ballë për të gjitha ato që thonë dhe për të gjitha përgjigjet që pret elektorati im.
Nuk ka qenë e lehtë për mua, teksa hidhej baltë mbi atë që unë dhe familja ime përfaqëson. Numërimi më solli një lloj çlirimi, ndjeva një mirënjohje të thellë për atë që unë arrita.
Dua të them që një pjesë e mirë e demokratëve të Elbasanit, i besuan kandidaturës sime, duke më parë si një figure të re. Non grata-s do t’i përgjigjem në shtator, ata e kanë ndarë mendjen të merren me mua gjatë, unë aty do të jem, do të jetë më e këndshme kur replika të jetë sy më sy”, – u shpreh Mila.