Sanskionet, paralajmërimi i Britanisë: Të tjerët të mos mendojnë se “do t’ia hedhin”

Britania e Madhe ka ndërmarrë vendime ndëshkuese gjatë kësaj jave, për disa individë shqiptarë me lidhje me kriminalitetin dhe korrupsionin.

Në një deklaratë të publikuar nga i dërguari special i kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, thuhet se akuzat e Britanisë janë të dokumentuara mirë.

Gjithashtu shtohet se jo të gjitha detajet do të bëhen publike.

Sir Stuart Peach bën po ashtu të ditur se janë caktuar 27 individë nga e gjithë bota që janë përfshirë në korrupsion serioz, të vendosur nën regjimin e sanksioneve nga Britania e Madhe.

DEKLARATA

“Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar më ka besuar detyrën për forcimin e marrëdhënieve të Mbretërisë së Bashkuar me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes tregtisë dhe investimeve, rritjes së sigurisë energjetike, bashkëpunimit kulturor, sigurisë dhe mbrojtjes dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Unë kam vizituar shpesh vendet e rajonit dhe sapo jam kthyer nga Tirana, Shkupi dhe Podgorica, ku kam marrë një mesazh të qartë nga të gjithë njerëzit e të gjitha shtresave, për largimin masiv të të rinjve për shkak të kushteve dhe pamundësive. Ata e dinë se nuk mund të kenë sukses nëse nuk kanë lidhje politike dhe janë të frustruar nga korrupsioni i rrënjosur thellë në vend.

Ata na kanë kërkuar të ndihmojmë në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, duke u kërkuar llogari udhëheqësve të tyre.

Institucionet, shoqëria civile, gazetarët dhe zyrtarët e drejtësisë penale po punojnë për të ndërtuar demokraci të begatë dhe të sigurtë.

Shumica e përpjekjeve reale do të jenë vihen në praktikë në të gjithë Ballkanin Perëndimor – nga prokurorë të ndershëm, gazetarë të guximshëm, policë të përkushtuar, udhëheqës vizionarë.

Në Shqipëri, me reformën në drejtësi, Agjencinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKI), ka një mundësi për ndryshim.

Mbretëria e Bashkuar është pranë jush në këtë luftë. Kemi parë që janë bërë përparime. Disa njerëz që më parë mendonin se ishin të imunizuar tani janë në burg.

Por disa të tjerë ende veprojnë sikur të jenë imune ndaj ndëshkimeve për të gjithë krimet që kanë bërë, sikur sundimi i ligjit të mos kishte të njejtin funksion për të gjithë.

Dhe në këtë mënyrë, ne po rrisim përpjekjet tona për të prishur lidhjet midis politikës, biznesit dhe aktivitetit të paligjshëm, si në mbarë botën ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.

Ne kemi sanksionuar 27 individë, të cilat janë të përfshirë në korrupsion.

Ne do të krijojmë një regjistër të ri, sipas Aktit të Krimit Ekonomik, i cili do të përfshijë të gjithë ata që qëndrojnë pas kompanive të huaja dhe që zotërojnë prona në Mbretërinë e Bashkuar, duke zbuluar kështu identitetin e tyre.

Ne gjithashtu kemi krijuar një “Qelizë të Kleptokracisë” të re me bazë Agjencinë Kombëtare të Krimit, për të synuar evazionin tatimor dhe asetet ruse të fshehura në Mbretërinë Bashkuar.

Këtë javë, ne ndërmorëm masa kundër disa individëve shqiptarë që kishin lidhje me krimin dhe korrupsionin, dhe të gjitha janë të dokumentuara.

Kjo është vala e parë e një sërë veprimesh që synojnë të inkurajojnë llogaridhënien dhe t’i japin fund mosndëshkimit.

Mbretëria e Bashkuar ka një sërë mjetesh në dispozicion për të penguar individët me lidhje me krimin dhe korrupsionin, duke përfshirë emigracionin dhe përçarjen ekonomike.

Detajet e këtyre veprimeve mund të mos bëhen të gjitha publike.

Mbështetja që disa personazhe publike po marrin nga kriminelët në këmbim të korrupsionit të tyre po mbyt zërin e popullit shqiptar.

Siç tregon raporti i OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, blerja e votave dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdojnë të jenë një problem madhor në politikën shqiptare.

Për sa kohë që politikanët janë në gjendje të punojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe frikësuar votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë.

Tani nevojiten ndryshime të mëtejshme dhe reforma zgjedhore.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri dhe më gjerë në rajon nënkuptojnë gjithashtu se shuma të mëdha fondesh shtetërore, të mbledhura nga taksapaguesit e zakonshëm, nuk përdoren kurrë për shkollat, spitalet dhe rrugët që shqiptarëve u duhen për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme dhe të begatë.

Për të gjithë ju në Shqipëri dhe rajon që përpiqeni për reforma, kam gjithashtu një mesazh: ne do t’ju mbështesim në reformat tuaja në drejtësi, të cilat kanë ndihmuar në “eliminimin” e zyrtarëve të korruptuar dhe kanë çuar në ndjekjen penale të personaliteteve të fuqishme.

Ne do t’ju mbështesim në reformimin e zgjedhjeve tuaja dhe në të gjitha përpjekjet tuaja për transparencë, llogaridhënie dhe demokraci.

Ne do të ndihmojmë në rritjen e angazhimit qytetar për të kërkuar llogari nga qeveria.

Ne përshëndesim ata gazetarë të guximshëm investigativë që kanë ekspozuar korrupsionin dhe lidhjet midis politikës, biznesit dhe krimit, shpesh përballë dhunës dhe frikës nga kriminelët.

Ata duhet të vazhdojnë ta bëjnë këtë me mbrojtjen e plotë të qeverive dhe agjencive të zbatimit të ligjit dhe me mbështetjen e atyre që e vlerësojnë lirinë.

Ne jemi me ju në rrugëtimin tuaj për të ndërtuar shtetin që populli juaj meriton.

Ky është mesazhi i Mbretërisë së Bashkuar për ata që janë të përfshirë në krim ose korrupsion: promovimi i krimit ose korrupsionit –qoftë në Ballkanin Perëndimor apo gjetkë nuk do të mbetet pa ndëshkuar dhe nuk do të jeni të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar.

Pasi këta individë dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin e tyre. Qoftë nëpërmjet sanksioneve, imigracionit apo politikave të mosangazhimit, Mbretëria e Bashkuar do të marrë masa për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Së bashku do të sigurohemi që askush të mos jetë mbi ligjin.”