Samiti për Ukrainën/ Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi: Përgëzime Shqipërisë për arritjet në diplomacinë ndërkombëtare

Ditën e sotme, kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, në një intervistë televizive për Report Tv, ka përgëzuar Shqipërinë për politikën e jashtme dhe organizmin e samitit për Ukrainën në Tiranë.

Në fjalën e tij, Xhaferi u shpreh se niveli i këtij samiti, nuk është për herë të parë, por “është vazhdimësi e punës që ne duhet të kryejmë, në relacion të përfarimit të vlerave dhe parakushteve për anëtarësimin në BE-së”.

“Nuk është për herë të parë është një samit i një niveli të tillë. Shqipëria është për t’u përgëzuar që në kontekstin ndërkombëtar po arrin diplomacinë ndërkombëtare dhe e ka sjellë në Tiranë, është për ta përshëndetur”,- tha Xhaferi.

Teksa ishte i pranishëm në samit, Xhaferi u ndal edhe tek zhvillimet që priten të ndodhin, tha se do të vijohet puna për anëtarësimin në BE.

“Ky samit është vazhdimësi i samitit paraprak në Shkup. Është vazhdimësi e punës që ne duhet të kryejmë në relacion të përfarimit të vlerave dhe parakushteve për anëtarësimin në BE-së. Është paraparë takimi me Zelenskyn me të cilin do të firmoset deklarata e bashkëpunimit mes dy vendeve, një prej punëve është nënshkrimi i përbashkët i deklaratës”,- u shpreh Xhaferi.

I pyetur në lidhje me zhvillimet e brendshme politike në Maqedoninë e Veriut, Xhaferi tha se qeveria ka obligim shtesë përgatitjen e zgjedhjeve.

Për faktin që jemi në vitin zgjedhor në prill-maj, detyrë shtesë është që qeveria të përgatisë parakushtet se zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, njeh qeverinë me të gjitha kompetencat që ka plus obligim shtesë i kësaj qeverie është përgatitja e zgjedhjeve. Në bazë të kompetencave në çdo moment mund të kontrollojë dhe të mbikëqyrë punët në qeveri. Mund të bëj të qartë se puna e ministrave është menaxhimi në institucionin përkatës”,- u shpreh Xhaferi.