Samiti i Procesit të Berlinit, e hëna pushim për studentët e këtyre dy Fakulteteve

Fakulteti Ekonomik dhe ai i Histori-Filologjisë kanë njoftuar studentët se ditën e hënë do të jetë pushim, për shkak të masave të marra nga policia në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Tiranë.

Njoftimi është ndarë në Facebook, ndërsa dita e hënë do të zëvëndësohet një ditë tjetër.

“Njoftim për studentët dhe stafin e Fakultetit të Ekonomisë, Me vendim të Dekanatit, për arsye të masave të marra për bllokimin e rrugëve në zonën ku ndodhet godina e Fakultetit të Ekonomisë edhe për këmbësorët, për shkak të zhvillimit të Samitit të Berlinit në Tiranë, njoftohen studentët dhe stafi se dita e hënë datë 16 Tetor 2023 do të jetë pushim dhe do të zëvendësohet një ditë tjetër.”

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, në një konferencë për shtyp dje, bëri të ditur se për mbarëvajtjen e këtij samiti do të jenë të angazhuar 1604 forca policore.

Masat e sigurisë do të fillojnë që pasditen e të dielës (15 Tetor) me bllokimin e disa rrugëve në qendër të Tiranës, ku nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve.

Ndërsa në ditën e samitit, bizneset në zonën e perimetrit të sigurisë nuk do të lejohet të hapen.

Kështu, rrugët që do të jenë të bllokuara janë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”; Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”; Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”; Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; Rruga “Ukraina e lirë”.

Sipas Bizhgës, në këto akse rrugore, duke filluar ora 20:00 e datës 15 Tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 Tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.