Sot, 10 korrik, kryeministri Edi Rama, do të niset drejt Lituanisë, pasi do të marrë pjesë në samitin e NATO-s. Gjatë qëndrimit në Vilnius, kryeministri shqiptar pritet të takohet edhe me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis.
Burime bëjnë me dije se dy liderët do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve, por edhe për çështjen Beleri.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave
Liderët e NATO-s do të takohen në Vilnius më 11 dhe 12 korrik për të trajtuar një sërë çështjesh, duke nisur nga ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash. Ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pasi samiti i parë ishte mbajtur virtualisht më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi luftën. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid./albeu.com/