Disa nga liderët pjesëmarrës në Samitin e Komunitetit Politik Europian, i cili po zhvillohet në Tiranë, janë larguar para përfundimit të punimeve. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u nisën drejt aeroportit të Rinasit menjëherë pas drekës zyrtare, duke mos marrë pjesë në pjesën e dytë të samitit.
Largimi i tyre ndodhi pas përfundimit të sesionit të parë në Shtëpinë e Europës.
Ndërkohë, pjesa tjetër e liderëve të Evropës përcolli nga Tirana një qëndrim të bashkuar kundër luftës në Ukrainë, duke bërë thirrje për intensifikimin e përpjekjeve diplomatike dhe ekonomike kundër agresionit rus. Kryeministri Edi Rama theksoi nevojën për një aleancë përtej mbështetjes ushtarake, ide e përqafuar edhe nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Në samit, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një bisedë të përbashkët telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump, ku ishin të pranishëm gjithashtu liderë të tjerë europianë, përfshirë Macron, Merz, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe homologun polak Donald Tusk.
“Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapa të shpejtë drejt paqes. Nëse Rusia nuk pranon një armëpushim të plotë dhe përfundim të agresionit, komuniteti ndërkombëtar duhet të përgjigjet me sanksione më të forta,” shkroi Zelensky në rrjetin social ‘X’, duke falënderuar vendet që vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.